Nesër i jepet lamtumira e fundit Papa Françeskut! Mbi 250 mijë pjesëmarrës, Mesha dhe ceremonia në 15 gjuhë të botës
Në një ceremoni të veçantë do i jepet këtë të shtunë lamtumira e fundit, Papa Françeskut.
Mesha e Shenjtë për Papën do të tërheqë vëmendjen e mbarë botës, duke sjellë në kujtesë një moment po aq solemn që ndodhi njëzet vjet më parë, me meshën e varrimit të Papës Gjon Pali II, më 8 prill 2005. Mbi 250 mijë pritet të jenë prezent në këtë ceremoni.
Në të njëjtën kohë, ky funeral do të shënojë një rast të veçantë për median, pasi do të jetë hera e parë që transferimi i trupit të një Pape nga Vatikani në një vend tjetër për t’u varrosur do të transmetohet drejtpërdrejt në nivel global.
E gjithë ceremonia do të zhvillohet të shtunën, më 26 prill, duke filluar në orën 10:00 të paradites.
Arkivoli i Papës do zhvendoset nga Sheshi i Shën Pjetrit deri në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, ku do të prehet, sipas dëshirës së tij.
Transmetim televiziv në 15 gjuhë
Për të siguruar ndjekje sa më të gjerë të ngjarjes, Dikasteri për Komunikim i Vatikanit do të ofrojë koment radiofonik dhe televiziv drejtpërdrejt në 15 gjuhë: anglisht, italisht, spanjisht, frëngjisht, portugalisht braziliane, portugalisht, gjermanisht, polonisht, vietnameze, kinezisht dhe arabisht, si dhe në katër gjuhë të shenjave: gjuhën amerikane të shenjave (ASL), italiane, spanjolle dhe frënge.