Nesër fillon muaji i shenjtë i Ramazanit, kreu i KMSH, Bujar Spahiu: Agjërim të lehtë dhe të pranuar
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, uron të gjithë besimtarët për një muaj Ramazani sa më të paqtë e të begatë!
MESAZHI I URIMIT:
Të nderuar vëllezër dhe motra besimtare,
Me zemrën plot mirënjohje ndaj Krijuesit të gjithësisë, i Cili na mundësoi ta arrijmë sërish këtë muaj të shenjtë, ju përcjell urimet më të përzemërta për një agjërim të lehtë dhe të pranuar, si në emrin tim personal, po ashtu edhe në emër të institucionit që unë drejtoj.
Ky muaj na fton të ndalemi dhe të reflektojmë mbi mirësitë e panumërta që Zoti na ka dhuruar. Është një mundësi e artë për të shprehur falënderim ndaj Tij, për të kultivuar durimin, për të rivitalizuar lidhjen tonë me Kuranin Famëlartë dhe për të rrezatuar dashuri ndaj të tjerëve.
Ramazani është gjithashtu muaji i solidaritetit dhe i vëllazërisë. Ai na kujton përgjegjësinë tonë ndaj atyre që kanë nevojë për ndihmën tonë dhe na fton të tregojmë bujari, dhembshuri dhe kujdes për më të dobëtit.
(Sureja El-Bekare, ajeti 183)
Ky mesazh hyjnor na rikujton se agjërimi nuk është vetëm një sakrificë fizike, por një proces i thellë shpirtëror, që synon ndërtimin e një personaliteti të qëndrueshëm, të devotshëm dhe të mbushur me vlera të larta morale.
Lusim Allahun Fuqiplotë që të na japë forcë, përkushtim dhe sinqeritet për ta jetuar këtë muaj në mënyrën më të mirë të mundshme, duke përfituar nga mirësitë dhe begatitë e tij të shumta.
Gëzuar muajin e bekuar të Ramazanit!
View this post on Instagram