Nesër amnistia penale në Kuvend, Basha: Të falen protestuesit e opozitës, PS plan për të liruar zyrtarët e korruptuar

TIRANË- Amnistia Penale mbetet peng i 84 votave. Teksa pritet që të kalojë nesër për miratim në Kuvend, socialistët nuk i kanë siguruar votat e nevojshme. Partia Demokratike kushtëzon votën me amendamentet e propozuara prej tyre, ku kërkojnë faljen e protestuesve të opozitës. Nga ana tjetër, burime për gazetaren e Report Tv, Danjela Maloku bëjnë me dije se as Rithemelimi nuk do ta votojë.

 

 

Në një konferencë për mediat, kryedemokrati Lulzim Basha ka bërë të ditur se nuk do ta votojnë, pasi amnistia penale synon që të amnistojë zyrtarët e korruptuar të qeverisë, ndërsa refuzon që të amnistojë protestuesit e opozitës. Kusht shtoi Basha për të votuar ligjin për Amnistinë Penale, është tërheqja e mazhorancës nga ky qëndrim dhe lirimi i protestuesve të opozitës.

Teksa inkurajoi drejtësinë që të vijojë punën në goditjen e zyrtarëve te korruptuar, Basha tha se nuk do të marrin pjesë nesër në Kuvend e i bëri thirrje grupimeve tjera opozitare që mos të bëhen patericë e këtij akti kriminal.

Mesazhi që Edi Rama dhe qeveria e tij japin është një qeveri e korruptuar është se ato që i dënon gjykata i liron qeveria me votat në parlament. Nuk është kjo ndërhyrja e parë e Edi Ramës me Reformën në Drejtësi, pak ditë më parë është ankuar se BKH po shqetëson ministrat dhe zyrtarët e tij me hetimet që po bën, është e qartë se Edi Rama i trembet drejtësisë. Tani duket qartë që segmente të SPAK po hetojnë në përputhje të plotë më ligjin. Kjo është ajo që po ndodh nga një anë do të përdorte amnistinë për të amnistuar zyrtarët e korruptuar që kanë vjedhur taksat e shqiptarëve dhe refuzon të amnistojë protestuesit që janë ngritur për të mbrojtur pronat e tyre. Sot po e bëj të qartë se PD jo vetëm nuk do të jetë pjesë e kësaj manovre të fëlliqur, por do të tregojmë dhe faktojmë se kërcënimi kryesorë sot është Edi Rama.

Partia Demokratike nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme parlamentare dhe padiskutim është pritshmëria jonë që askush prej nesh të mos bëhet patericë e këtij akti korruptiv dhe kriminal që synon lirimin e zyrtarëve të korruptuar, të hetuar, nën hetim, të akuzuar apo të dënuar nga gjykata kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nëse ka një tërheqje nga ky qëndrim i papranueshëm dhe skandaloz dhe nëse propozimet tona për amnistimin pa kusht të të gjithë protestuesve do të pranohen, sigurisht Partia Demokratike në funksion të interesit të mirë publik dhe në transparencë të plotë, do të rishikojë vendimin e saj.’- tha Basha.

Amnistia penale u miratua të martën në Komisionin e Ligjeve dhe të enjten do të kalojë për votim në Kuvend. Në ndryshimet e projektligjit që pritet të votohet në Kuvend, një ndryshim i miratuar është që të shfuqizohet gërmën c të nenit 5, pika 2, që përjashtonte nga kriteret e përfitimit të amnistisë së uljes së dënimit; “personat e dënuar, akuzat penale ndaj të cilëve janë gjykuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sipas përcaktimeve të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale”.

Nga amnistia penale nuk mund të përfitojnë kategori të tilla si dënuarit me burg përjetë, të arratisurit dhe vrasësit në rrethana cilësuese. Një prej amendamenteve të Partisë Demokratike të pranuar nga mazhoranca ishte edhe shtyrja e efekteve të amnistisë, të cilat zgjerohen në afat deri më 31 janar 2024 , nga 31 nëntor 2023 që ishte parashikuar më herët.