Nesër afati i fundit për regjistrimin e diasporës! PS: Të shtyhet afati për ata që janë refuzuar, jo për ata që s’kanë llogari në PER
Data 4 marsi është afati i fundit i Diasporës për tu regjistruar për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Deri më tani, sipas KQZ, 218 mijë emigrantë janë registruar për të votuar, ndërsa janë refuzuar thuajse 42 mijë. Gjithsesi ka një mundësi që ky afat të shtyhet, me kreun e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi që ka deklaruar se data 9 mars mund të jetë edhe afati i fundit për regjistrim, pasi duhet shpallur lista paraprake. Partia Socialiste ka refuzuar një kërkesë të demokratëve për shtyrjen e afatit për regjistrimin e emigrantëve teksa shtoi se 9 marsi është dita kur duhet të fillojë të përgatitet lista paraprake e zgjedhësve.
Partia Socialiste thekson se kjo masë shtyrjeje nuk ka arsye të zbatohet për aplikantë të tjerë jashtë kësaj kategorie, të cilët nuk e kanë aktualisht një llogari të hapur në sistemin PER. Falë angazhimit të KQZ-së por dhe forcave politike me fushatën e gjërë të informimit, vlerësojmë se ka qenë koha e mjaftueshme që çdo shtetas i interesuar të bëhej pjesë e procesit brenda datës 4 Mars.
Çdo shtyrje afati për kategorinë e aplikantëve që deri më tani nuk kanë shfaqur interes do të mund të konsiderohej sërish e pamjaftueshme dhe do të rrëzonte vet logjikën e afateve në një proces të tillë. Ndërkohë, dhënia e kohës shtesë për ata aplikantë që janë të refuzuar në sistem, do ti shërbente shterrimit të të gjitha mundësive që vullneti i tyre për tu bërë pjesë e procesit të mos shkonte dëm!