“Nëse nuk pranon, të vrasin!” – Mafia shqiptare mbjell frikë në Ekuador, dominon tregun e trafikut të drogës drejt Europës

Mafia shqiptare po shndërrohet në një nga rrjetet më të fuqishme dhe të frikshme të trafikut të drogës në Amerikën e Jugut, duke dominuar rrugët e kontrabandës nga Ekuadori drejt porteve evropiane. Një investigim i BBC ka zbuluar detaje tronditëse për mënyrën sesi operojnë shqiptarët dhe lidhjet që kanë krijuar me kartelet lokale dhe punonjës të korruptuar të institucioneve ekuadoriane.

“Na telefononin dhe na thonin: Duam të dërgojmë 500 kg drogë. Nëse nuk pranon, të vrasim”. Kështu rrëfen César (emër i ndryshuar), një anëtar i bandës Kings Latin, i cili u rekrutua nga një oficer policie për të punuar për mafian shqiptare. Ai tregon se roli i tij ishte të jepte ryshfet për të lehtësuar kalimin e drogës nëpër portet e Ekuadorit.

Shqiptarët kontrollojnë një pjesë të madhe të trafikut të kokainës që nga Kolumbia dhe Peruja futet në Ekuador dhe prej aty niset drejt Evropës. Pavarësisht se vetë Ekuadori nuk prodhon drogë, mbi 70% e kokainës globale kalon përmes porteve të tij, një realitet që ka sjellë pasoja të rënda për sigurinë e vendit. Vetëm në janar të vitit 2025 u regjistruan 781 vrasje, shumica e lidhura me konfliktet për tregun e drogës.

Metodat e trafikut janë të sofistikuara: droga fshihet në kontejnerë përpara mbërritjes në port, futet në to në mënyrë të fshehtë ose ngarkohet në det të hapur. Grupi ka ngritur edhe kompani të rreme import-eksporti për fruta si mbulim për aktivitetet e paligjshme. Një nga emrat më të përfolur është Dritan Gjika, i akuzuar si një nga drejtuesit kryesorë të këtij rrjeti shqiptar, me investime të mëdha në kompanitë që shërbenin për trafikun e kokainës. Ai mbetet në arrati, ndërsa disa bashkëpunëtorë të tij janë dënuar.

Për të kuptuar ndikimin real të kësaj mafie, një tjetër dëshmitar, Juan (emër i ndryshuar), një shofer kamioni, rrëfen: “Dy muaj pas një ngarkese që çova në port, pashë në lajme se kontejnerët ishin sekuestruar në Amsterdam me drogë brenda. Nuk e dinim asgjë”.

Autoritetet në Ekuador janë përballur me një situatë që po del jashtë kontrollit. Patrullime detare, skanime të frutave dhe zhytës që kërkojnë drogë nën anije janë kthyer në realitet të përditshëm. Pavarësisht përpjekjeve, vetëm në vitin e kaluar janë kapur rreth 300 ton drogë, një rekord që tregon përmasat e krizës.

Majori Christian Cozar Cueva nga Policia Kombëtare deklaron se trafiku drejt Evropës është rritur me 30%, ndërsa eksportet nuk maten më me kilogramë, por me tonë të tëra.