Kryeministri Edi Rama ka shprehur dyshime mbi veprimet e prokurorisë lidhur me arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Gjatë ceremonisë së 105-vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet, Rama tha se situata mund të kthehet në një drejtësi aktiviste dhe kërkoi prova për akuzat e ngritura ndaj Veliajt.
“Gjithçka rrezikon të degradojë në një drejtësi aktiviste. Në këtë hapësirë janë ata që bërtasin se nuk ka rëndësi a ka prova apo jo,” tha Rama.
Duke iu referuar akuzave për shpenzime luksi, ai theksoi se është e drejtë e institucioneve që të kërkojnë prova konkrete.
“Nëse Erioni dhe e shoqja kanë blerë 800 mijë e kusur euro fustane dhe bizhuteri, s’kemi çfarë diskutojmë. Por ama duam të shohim provat. Hedhja e kësaj shifre në publik është e qëllimshme për të ekzaltuar opinionin dhe për të krijuar një situatë ku të bëhet e pamundur të diskutosh,” deklaroi kryeministri.
Rama tha se do ta ndjekë me kujdes këtë proces, ndërsa kritikoi metodat e përdorura nga prokuroria, të cilat i konsideroi të papranueshme.