Nënsekretarja e Shtetit viziton Kosovën, takim me Osmanin dhe Kurtin

Nënsekretarja e Shtetit Amerikan për Diplomaci Publike, Elizabeth Allen, gjatë kësaj jave do të zhvillojë vizitë në Bosnjë, Serbi, Kosovë e Maqedoni të Veriut.

Siç njofton Departamenti Amerikan i Shtetit, qëllimi i kësaj vizite është thellimi i partneritetit me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe shtyrja përpara e qëllimeve për bashkëpunim rajonal dhe integrime evropiane.

Në Prishtinë, nënsekretarja Allen do të takohet me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti për të diskutuar mbështetjen e SHBA-së për rrugën e Kosovës drejt integrimit euroatlantik dhe partneritetin me Kosovën. Po ashtu, nënsekretarja Allen do të vizitojë pjesëtarët e shërbimit amerikan të dislokuar si pjesë e Misionit Paqëruajtës të Forcave Kosovare të NATO-s (KFOR) në Camp Nothing Hill, duke nënvizuar përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit, njofton RTK.

Sipas DASH-it, nënsekretarja Allen do të zhvillojë gjithashtu diskutime me studentë të ndryshëm kosovarë të angazhuar në lëndët e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës në Institutin Teknologjik Rochester – Kosovë.

Ajo po ashtu do të udhëtojë në Dresnik për të zbuluar mozaikët e kohës romake që arkeologët po restaurojnë falë mbështetjes nga Fondi i Ambasadorëve të Departamentit të Shtetit për Ruajtjen e Kulturës.