Nën masa të rrepta sigurie, materialet zgjedhore mbërrijnë në qarkun e Vlorës

Mbërrijnë në KZAZ-të e Vlorës materialet e para zgjedhore për procesin e 11 majit.

Në KZAZ nr. 84, e vendosur pranë palestrës së shkollës 9-vjeçare “Ismail Qemali”, kanë mbërritur tashmë pajisjet për procesin e numërimit, si edhe për vëzhguesit. Në vijim pritet të mbërrijnë edhe kutitë e votimit, të cilat do të shpërndahen të shtunën në të gjitha qendrat e votimit.

Ervin Shakaj, kryetar i KZAZ nr. 84, ka konfirmuar se janë gjithsej 68 qendra votimi në këtë KZAZ, që përfshijnë të gjitha njësitë administrative të Bashkisë Vlorë. Krahas mbërritjes së materialeve zgjedhore, janë inspektuar të gjitha qendrat e votimit dhe është bërë edhe përcaktimi i komisionerëve.

Bashkia Vlorë ka katër KZAZ: nr. 84, 85, 86 dhe 87, të vendosura pranë palestrës së shkollës “Ismail Qemali”, pranë palestrës së gjimnazit “Ali Demi” dhe në Pallatin e Sportit, Vlorë.