Negociatat për arritjen e një armëpushimi në Gaza edhe njëherë ishin të pasuksesshme
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken përfundoi vizitën e tij të nëntë në Lindjen e Mesme pa siguruar një marrëveshje armëpushimi. Pas takimeve në vendet e tjera ndërmjetësuese, Egjiptin dhe Katarin, Blinken tha se Izraeli ka rënë dakord të tërheqë disa trupa nga Rripi i Gazës si pjesë e një marrëveshjeje me Hamasin. Ai vuri në dukje se mori miratimin personalisht nga Netanyahu.
“Mesazhi ynë është i thjeshtë. Është e qartë dhe është urgjente. Ne duhet të arrijmë një armëpushim dhe marrëveshje pengjesh, duhet ta bëjmë atë tani. Koha është thelbësore, “ u tha ai gazetarëve përpara se të largohej nga Katari.
Mes të tjerash Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka përjashtuar mundësinë e pranimit të një propozimi për armëpushim që përfshin përfundimin e luftës në Gaza. Raporti vjen pasi sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken u takua me udhëheqësin izraelit për të diskutuar përpjekjet për të ulur tensionet dhe për të arritur një marrëveshje për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve. Blinken pretendoi se Netanyahu kishte pranuar propozimin e SHBA-së për armëpushim.
Hamasi më herët e quajti propozimin e fundit një përmbysje të asaj për të cilën kishte rënë dakord, duke akuzuar SHBA-në për pranimin e kushteve të reja nga Izraeli. Ndërkaq protestuesit u mblodhën në Tel Aviv dhe në Jerusalem duke mbajtur tabela që lexonin “më fal” si një formë faljeje për pengjet dhe familjet e tyre që i kthyen të vdekur në shtëpi. Ata u shprehën njëzëri se qeveria dhe Benjamin Netanyahu po vret pengjet dhe se duhet të sigurohet sa më parë një marrëveshje për të rikthyer pjesën e mbetur. Gjetja e gjashtë trupave të pengjeve në Khan Younis lë 109 pengje që besohet se mbahen ende në Gaza, rreth një e treta e të cilëve mendohet të jenë të vdekur.
Mes të tjerash udhëheqësi i opozitës izraelite Yair Lapid bëri thirrje për t’i dhënë fund përpjekjeve të kryeministrit Benjamin Netanyahu për të sabotuar bisedimet që synojnë arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi në Gaza dhe shkëmbimin e pengjeve me Hamasin. “Të gjitha përpjekjet e Netanyahut për të sabotuar negociatat duhet të ndalen, “tha Lapid në X.
Forcat izraelite kryen sulme në të gjithë Rripin e Gazës, duke përfshirë Jabalia, Deir el-Balah, Rafah dhe Khan Younis ku disa njerëz u vranë dhe u plagosën. Nga ana tjëtër në Liban, të paktën një person u vra dhe 20 të tjerë u plagosën në një sulm izraelit në Luginën lindore Bekaa, larg kufirit me Izraelin. Dhjetra raketa janë hedhur nga Libani drejt Lartësive Golan të pushtuara nga Izraeli duke goditur gjithashtu vendbanime.