Në vend të 10,000 hapave provo ecjen japoneze, më pak lodhje më shumë përfitime!
Në Japoni, aktiviteti fizik nuk shihet si detyrim por si pjesë e pandashme e mirëqenies. Ndryshe nga filozofia perëndimore e tipit “pa dhimbje, s’ka përparim”, japonezët praktikojnë një qasje më të butë dhe të qëndrueshme ndaj lëvizjes fizike dhe rezultatet flasin vetë.
Çfarë është “ecja japoneze”?
Sipas gastroenterologut dhe hepatologut Saurabh Sethi, i diplomuar në Harvard dhe Stanford, një nga praktikat më efektive që mund të përfshihet në rutinën ditore është ecja japoneze, një formë e ecjes me intervale.
Metoda është e thjeshtë:
▪ Filloni me 3 deri në 5 minuta ecje të lehtë,
▪ Alternoni 3 minuta ecje të moderuar dhe 3 minuta ecje të shpejtë (sikur jeni vonë për një takim),
▪ Përsëriteni këtë cikël për gjithsej 30 minuta,
▪ Përfundoni me disa minuta ecje të lehtë për qetësim.
“Nuk është numri i hapave që ka rëndësi, por intensiteti”, thekson Dr. Sethi. “Praktikojeni këtë çdo ditë për 30 minuta dhe rezultatet do t’ju mahnitin”, përcjell Telegrafi.
Përfitimet kryesore
Dr. Alejandra Hince, specialiste në mjekësinë sportive, thekson se ecja japoneze sjell përfitime të jashtëzakonshme për shëndetin e zemrës, presionin e gjakut dhe kapacitetin aerobik edhe kur nuk keni kohë për një stërvitje të gjatë/
Një studim i titulluar “Efektet e trajnimit të ecjes me intervale në fitnesin fizik dhe presionin e gjakut tek të rriturit e moshës së mesme dhe të moshuarit” tregoi përmirësime të dukshme në:
▪ Presionin e gjakut,
▪ Kolesterolin,
▪ Sheqerin në gjak,
▪ Forcën e këmbëve,
▪ Kapacitetin aerobik.
Për më tepër, kjo formë ecjeje është më e butë për kyçet dhe shpinën, një përfitim i madh për ata që vuajnë nga dhimbjet e zakonshme të trupit.
Efekt pozitiv edhe në shëndetin mendor
Ecja në natyrë, sidomos kur bëhet me ndërgjegjësim dhe ritëm të ndryshueshëm, ka një efekt meditativ. Ndihmon në uljen e stresit, përmirëson lidhjen me ambientin përreth dhe ndihmon trupin të rikuperohet natyrshëm.
Këshillë praktike: Mos harroni ngrohjen dhe disa ushtrime shtrirjeje përpara se të filloni kjo rrit efikasitetin dhe shmang dëmtimet.
Në vend se të numëroni me ngulm 10,000 hapa, ndoshta është koha të bëni një ecje më të mençur në stilin japonez.