“Në Tiranë fiton shumë”/ Përgjimet e punonjëses turke së seksit, ankohej se gjatë Ramazanit nuk kishte klientë

Gjykata e Apelit të Tiranës ka lënë në burg një vajzë me shtetësi turke, e cila kishte ardhur në Shqipëri për të punuar si një punonjëse seksi.

Në dosjen e siguruar nga gazetarja Anila Hoxha, paraqitet dëshmia e vajzës. Kjo e fundit tregon se ka ardhur në Shqipëri pasi i ishte propozuar për të punuar nga një mjeke. Kështu që premtimi se do të fitonte shumë para e kishte joshur të renë për të ardhur në Shqipëri.

“Më tha pse nuk shkon atje të punosh si eskortë, sepse ka shumë para, klientët paguajnë shumë. Më tha do të të presë atje një miku im turk.”

Në Tiranë, e priti Sinan Borat, që punonte si taksist dhe që ishte i gatshëm ta ndihmonte për të gjetur apartamentin dhe për gjithçka tjetër i “nevojitej” për të bërë punën e saj. Borat i kishte rrëfyer se për tre vite kishte punuar si parukier në zonën e Astirit, por për shkak të fitimeve vendosi që të punonte si taksist për eskortat që vinin në vendin tonë dhe frekuentonin biznesin e tij. Kështu e reja u fut në tregun e Tiranës. Ajo do të punonte përmes një grupi në “WhatsApp” me emrin “Isil”, ku ishin tre anëtarë: vetë ajo si punëtore, një vajzë me pseudonimin Cansu (operatore) dhe Hakan, i cili ishte menaxher dhe gjente klientët që i dërgonte në apartamentin ku ajo qëndronte.

Kur ka mbërritur në Shqipëri, e reja ka pranuar që përfitimin nga puna si eskortë ta ndante përgjysmë me Hakanin, i cili vazhdonte dhe jetonte në Turqi.  Ndërsa e reja do i jepte pjesën e tij për pagesën, Hakani e ndihmonte për pagesën e qirasë së apartamentit në Tiranë. Po në të njëjtin rrjet social, Hakan i dërgonte klientët. Pagesat kryheshin paraprakisht, nga 150 deri në 200 euro për 30 minuta.

Kur mblidhte paratë në banesë, vajza njoftonte Hakanin, i cili dërgonte një person pranë apartamentit për të tërhequr paratë. Problem kishin parë vetëm mungesën e klientëve gjatë muajit të Ramazanit. Gjatë këtij muaji, të dy, si punonjësja edhe Hakani, ankoheshin se nuk kishin  shumë klientë.