“Në Theth ka pasur bum ndërtimesh pa leje gjatë zgjedhjeve” – Rama: Prokurorja refuzoi hetimet, shkroi ese për pafajësinë!
Kryeministri Edi Rama ka ngritur akuza të forta ndaj sistemit të drejtësisë në lidhje me ndërtimet pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit.
Gjatë një takimi me kryebashkiakët në Durrës, Rama deklaroi se gjatë periudhës së zgjedhjeve ka pasur një “bum ndërtimesh” të paligjshme në këtë zonë turistike, ndërsa policia ka kryer rreth 40 denoncime.
Megjithatë, sipas tij, një prokurore ka vendosur të mos nisë hetimet, duke e justifikuar me një “ese filozofike mbi pafajësinë”.
Edi Rama: Gjatë periudhës së zgjedhjeve, ose në muajt para dhe gjatë zgjedhjeve në Teth ka pasur bum ndërtimesh pa leje si rezultat i përgatitjes së sezonit turistik. Policia e Shtetit ka bërë 40 denoncime, policia ka funksionuar, i ka denoncuar ndërtimet pa leje në Prokurori. Siç është bërë e ditur, në një flagrancë spektakolare ku është ndërtuar një fshat i tërë turistik në mes të Thethit, një prokurore ka vendosur mosfillimin e hetimeve.Ka refuzuar të shohë se për çfarë bëhet fjalë, ka bërë ese filozofike mbi pafajësinë e ndërtimeve pa leje. Në Shqipëri ndërtimet pa leje janë vepër penale. Në një zonë të mbrojtur si Thethi është vepër penale edhe më e rëndë.
IKMT ka filluar të veprojë. për të gjithë ata që u thonë pse u kujtuan tani dhe pse i lanë? Nëse nuk funksionojnë të gjitha hallkat dhe struktura e pavarur e drejtësisë nuk është në dispozicion të kësaj përpjekje, por përkundrazi është si kullose makaronash ku gjërat rrjedhin dhe pastaj faktet e kryera mbeten në territor, është një përpjekje që natyrshëm do të duhet të shfaqet në këtë formë.
Në Theth kemi bërë një plan të tërë pune në Bashkinë Shkodër, kemi legalizuar ndërtimet e vjetra, kemi vendosur financime.