“Në stadium shaja arbitrin nga nëna”, Majko ‘thumbon’ opozitën: Nëse kthimi juaj sot është mosbindje civile, Ulsi Manja është ministër teknik

Deputeti i PS Pandeli Majko, në debatet e sotme në parlament ka thumbuar ndër të tjera opozitën.

Majko tha se nëse kthimi i deputetëve opozitarë në parlament është mosbindje civile, atëherë Ulsi Manja është ministër teknik. Majko tha me shaka se kjo i kujton veten kur ishte student, që sa herë shkonte në stadium me një shok vlonjat, nëse do humbte Flamurtari, përveç labit që shante, do të shante edhe ai vetë.

“T’i kthehemi rendit të ditës, buxhetit faktit dhe t’i themi qytetarëve ça ka ndodhur me buxhetin. Dëshiroj t’i falenderoj kolegët për ardhjen e tyre këtu. Dua t’ju kujtoj se nuk ishte vendimi i Gjykatës Administrative që ka dalë arsyeja e kthimit sot. Në dijeninë time ju jeni larguar për shkak të dënimit të Salianjit.

Sot që flasim, Salianji është në burg. Nëse do të isha demokrat do t’ju pyesja: Ardhja juaj sot këtu është mosbindje civile? Atëherë nëse kjo është mosbindje civile atëherë edhe unë po them se Ulsi Manja është ministër i qeverisë teknike! Sot më keni kujtuar veten kur kam qenë student, e kam si këshillë mos shkoni me miq lebër në stadium se kur humbiste Flamurtari edhe unë e shaja arbitrin nga nëna”, tha Majko.