Në qeli prej 10 shkurtit, reagojnë ashpër avokatët ndërkombëtarë të Erion Veliajt
Pas vendimit “arrest me burg” që Gjykata e Lartë la në fuqi për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, avokatët e tij ndërkombëtarë kanë reaguar ashpër, duke e cilësuar këtë veprim si një shkelje flagrante të të drejtave të njeriut dhe të një procesi të rregullt ligjor.
Pavarësisht se ndaj Veliajt nuk është ngritur ende një akuzë konkrete, ai ndodhet prej pesë muajsh në paraburgim në IEVP Durrës, i izoluar dhe i privuar nga e drejta për të komunikuar me ekipin e tij ligjor ndërkombëtar.
Në deklaratën e tyre, firmat prestigjioze Kasoëitz LLP dhe Mishcon de Reya paralajmërojnë ndjekje të mëtejshme në instancat ndërkombëtare, duke argumentuar se mbajtja në burg e kryebashkiakut pa një proces të rregullt dhe pa shqyrtuar masat alternative është në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Veliaj mbahet në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti, me urdhër të SPAK dhe vendim të GJKKO-së.
Deklarata e plotë e avokatëve ndërkombëtarë të kryebashkiakut Erion Veliaj:
“Daniel Fetterman, firma ligjore Kasowitz LLP: Mbajtja në paraburgim e Kryebashkiakut Veliaj – pa akuzë dhe kur ka mundësi për masa më të qarta, proporcionale dhe të arsyeshme alternative ndalimi – është në kundërshtim me parimet e vendosura për një proces të rregullt ligjor, dhe në papajtueshmëri me sundimin e ligjit.”
Ben Brandon, firma ligjore Mishcon de Reya: Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut (“ECHR”) i ndalon burgosjet arbitrare, dhe garanton që arrestimi duhet të jetë një masë e nevojshme, proporcionale dhe e arsyeshme. Ne po presim vendimin e plotë të Gjykatës së Lartë, por jemi duke marrë në konsideratë të gjitha masat e mundshme ligjore. Ne mbetemi jashtëzakonisht të shqetësuar që mbajtja në paraburgim e Kryebashkiakut Veliaj bie në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.”