Në prag të armëpushimit, Izraeli vret shkencëtarin bërthamor iranian
Në limitet e nisjes së armëpushimit të dakordësuar me ndërmjetësimin e presidentit amerikan Donald Trump, Izraeli ka kryer një goditje të fuqishme në Iran duke vrarë shkencëtarin e njohur bërthamor Mohammadreza Sediqqi. Lajmi është konfirmuar nga agjencia iraniane e lajmeve NOURNEWS, sipas së cilës shkencëtari u vra gjatë një sulmi ajror izraelit në provincën Gilan, në veri të Iranit. Përveç Sediqqit, nëntë persona të tjerë humbën jetën nga sulmet ndaj disa banesave në këtë zonë.
Në shenjë hakmarrjeje, Irani u përgjigj menjëherë me një breshëri raketash drejt territorit izraelit, duke shkaktuar vdekjen e pesë personave në qytetin jugor të Beershebës.
Ndërkohë, zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi zyrtarisht se Izraeli kishte pranuar propozimin e presidentit Trump për armëpushim me Iranin. Në deklaratë, theksohet se: “Izraeli do të përgjigjet me forcë ndaj çdo shkeljeje të armëpushimit. Izraeli e ka arritur qëllimin e tij për të eliminuar kërcënimin bërthamor dhe balistik të Iranit.”
Gjithashtu, Netanyahu ka falënderuar presidentin Trump dhe Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e tyre në mbrojtje dhe për “pjesëmarrjen në eliminimin e kërcënimit bërthamor iranian”.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, “Në Operacionin ‘Luani Lindor’, Shteti i Izraelit shënoi arritje të mëdha historike dhe u vendos në të njëjtin nivel me fuqitë botërore. Ky është një sukses i madh për popullin e Izraelit dhe luftëtarët e tij, të cilët eliminuan dy kërcënime ekzistenciale për shtetin tonë dhe siguruan përjetësinë e Izraelit.”