Në Mëzez ngrihet Instituti i parë për rehabilitimin e të miturve në rajon – Manja: Do të shkollohen si bashkëmoshatarët e tyre
Në zonën e Mëzezit në Tiranë po merr formë një projekt unik në rajon: Instituti për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve, që do të shërbejë për të miturit në konflikt me ligjin. Kjo qendër është e para në Ballkan dhe e dyta në të gjithë Europën pas Francës.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, gjatë një inspektimi në kantierin e punimeve, deklaroi se ky institucion bazohet mbi modelin e shkollës gjyqësore franceze, ku të miturit nuk do të trajtohen thjesht si të ndëshkuar, por do të edukohen dhe diplomohen njësoj si bashkëmoshatarët e tyre.
“Kjo nuk është një qendër ndëshkimi, por rehabilitimi dhe formimi. Të miturit do të vijnë të shkollohen, do të pajisen me diploma të vlefshme për integrim të plotë në shoqëri. Është e rëndësishme që edhe mjedisi fizik të jetë në harmoni me qëllimin edukues, prandaj ndërtohet me standarde të larta”, theksoi ministri.
Instituti në fjalë synon parandalimin e përsëritjes së veprave penale, përmes arsimimit dhe riintegrimit social të të miturve që kanë pasur probleme me drejtësinë.