Në mes të natës dhe mes borës, momenti kur kapet autori që vuri tritol në një biznes në Theth
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Theth, Shkodër, ku në derën e një marketi është vendosur një sasi lënde plasëse. Ngjarja ka shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa falë reagimit të menjëhershëm të Policisë, autori është arrestuar brenda tre orësh.
Pas shpërthimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet. Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, është bërë e mundur identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar, shtetasit F. P., 39 vjeç, në zonën e Qafë Thorës. Operacioni është realizuar në kushte të vështira për shkak të reshjeve të dendura të dëborës.
Pas ndalimit, 39-vjeçari është shoqëruar në Komisariat dhe është arrestuar në flagrancë për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Shpërthimi, i cili ndodhi në derën e marketit në pronësi të shtetasve Ç. B. dhe A. B., shkaktoi vetëm dëme materiale dhe nuk u raportuan të lënduar. Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë për hetime të mëtejshme, ndërsa Policia po punon për të zbardhur motivet e ngjarjes.