Në Maliq, një baba sfidon varfërinë! Çon fëmijët në shkollë me kalë
Në fshatin Këmbëthekër të bashkisë Maliq, vjen një histori sakrifice dhe përkushtimi. Genci Limanllari, babai i tre fëmijëve, i çon çdo ditë të vegjlit e tij në shkollën e Novoselës, fshat të cilin fëmijët duhet ta përshkojnë mbi kalë për rreth një orë, për shkak të pamundësisë ekonomike.
Babai hero përballet çdo mëngjes me motin e papërshtatshëm – në dëborë, shi apo nën diellin përvëlues – vetëm që fëmijët e tij të mos mbeten pas me mësimet.
“Po bëj 7 vite që i kam regjistruar në shkollën e Novoselës, për të mos i lënë fëmijët pa shkollë. E vështirë pa e vështirë, fëmijët nuk duhet t’i lësh pa shkollë. Mban gati afër një orë, kur është shumë ftohtë i veshim mirë, i mbulojmë me mushama që të mos ftohen. Dy orë… deri sa vetë unë, o nusja o unë i marr. Nuk e kemi ditur vetë shkollën çfarë ka qenë, kemi vuajtur, shyqyr na ka mbajtur koha mirë.”
Në një kohë kur shumica e prindërve kërkojnë komoditet, ky baba zgjedh sakrificën si mjet për të ndërtuar të ardhmen e fëmijëve të tij. Ai tregon se ndihma nga shteti mungon.
“Çfarë t’i them unë shtetit? Ata e dinë vetë. Ata më thanë bëj shtëpitë këtej poshtë, por fëmijët nuk kanë nevojë vetëm për shtëpi, por edhe për të ngrënë e veshur. Unë kam 4 lopë, e ato nuk i kam timet. Vetëm një lopë kam nga bonusi i Ramës, bleva një lopë. Mos i humbja lekët. Kur të vazhdojë shkollën, do e shes e t’ia jap për të vazhduar shkollën. Me 150 ndihmë ekonomike marr. Shes pak qumësht, nuk shes dot viçin e t’ia jap fëmijëve të mi. Jetë e vështirë po ç’të bësh?”
Prindi besnik tregon se do të vijojë këtë ritual deri sa fëmijët e tij “të dalin në ballë të jetës”.
“Me kalë vij. Nuk kam frikë”, thotë një nga fëmijët.
“Mbahem këtu e rri. Nuk mërdhij”, shton një tjetër.
“Unë vetë me shkollë, e kam qejf shkollën. Edhe këta, por ky është në kopsht”, përfundon me buzëqeshje njëri prej tyre.