Në kërkim nga policia/ Kristian Marku tentoi vrasjen e nipit të Kastriot Reçit në Rrëshen

Kristian Marku nuk ishte një emër i panjohur për autoritetet.

30-vjeçari viktimë e mbrëmjes së sotme në Vlorë qarkullonte i lirë, pavarësisht se ndaj tij ishte lëshuar urdhër arrestimi. Prej thuajse dy vitesh ai ishte në kërkim për veprën penale “Vrasje me dashje në bashkëpunim mbetur në tentativë”.

Më konkretisht, ai ka qenë i përfshirë në ngjarjen e regjistruar mbrëmjen e 26 Marsit në Rrëshen, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të automjetit të  Sajmir Reçit, nipi i Kastriot Reçit, i vrarë në Janar të vitit 2020.

Për ngjarjen e 26 Marsit 2023, Kristian Marku (Bardhi) u akuzua si autor bashkë me kushëririn e tij, Enrik Bardhi (Marku), teksa një ditë pas ngjarjes Policia arrestoi vetëm babain e këtij të fundit, Martin Bardhi alias Marku.

Ky i fundit u ekzekutua në lokalin e tij që ndodhet në hyrje të spitalit të Rrëshenit, 50 metra përballë komisariatit të qytetit, më 26 shtator të vitit 2023, sapo kishte dalë nga burgu për ngjarjen e Marsit të po atij viti.

Vrasja e sotme e Kristian Markut dyshohet se është pjesë e hakmarrjeve mes visese në Rrëshen.

DINAMIKA E NGJARJES:

Rreth orës 18:15, përgjatë autostradës Fier-Vlorë, në afërsi të fshatit Novoselë, pranë një karburanti, është ekzekutuar me armë zjarri tip pistoletë 30-vjeçari Kristian Marku nga Rrësheni.

30-vjeçari po udhëtonte nga Fieri në Vlorë me makinën e tij tip Volkswagen Passat me targa AB 107 PN, kur paralel me të, nga krahu i djathtë i pasagjerit, iu afrua një makinë tip Golf. Autori ka qëlluar disa herë me pistoletë në lëvizje, duke e goditur 30-vjeçarin me dy plumba në trup. Makina e tij ka vazhduar të ecë për inerci për rreth 400 metra nga vendi ku është qëlluar, derisa ka përfunduar duke u përplasur me trafikndarësen.

Ende nuk dihet nëse viktima ka humbur jetën menjëherë pas të shtënave apo gjatë përplasjes së makinës. Policia dhe ambulanca janë njoftuar menjëherë, por viktima është gjetur pa jetë në vendngjarje.

Në vendin e krimit, policia ka mbledhur 10 gëzhoja, ndërkohë që pas pak minutash, makina tip Golf e përdorur nga autorët është gjetur e djegur rreth 1 kilometër larg vendngjarjes.

Janë ushtruar kontrolle në fshatrat përreth, si Novoselë dhe Panaja, ndërsa në hyrje të Vlorës është ngritur një postbllok. Po ashtu, janë marrë pamjet nga kamerat e sigurisë së karburantit pranë vendngjarjes, si dhe përgjatë autostradës.

Policia po heton për të zbuluar të kaluarën e 30-vjeçarit dhe motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë.