Në kërkim nga Gjermania për trafik droge, Prokuroria e Tiranës sekuestron pasuritë e një shtetasi

Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar disa pasuri të një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane për trafik droge dhe mbajtje të armëve luftarake.

Sipas hetimeve pasurore të kryera për shtetasin me inicialet I.D. dhe familjarët e tij për periudhën 2011-2024, është konstatuar se vlera e të ardhurave të tij nuk justifikon pasuritë e krijuara. Për këtë arsye, me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, u sekuestruan:

• Një truall me sipërfaqe 850 m² në Zall Herr, Tiranë

• Një apartament me sipërfaqe 113.8 m²

• Një njësi me sipërfaqe 98.8 m² dhe dy poste parkimi

Shtetasi I.D. është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, Gjermani, për veprat penale “Trafik i lëndëve narkotike” dhe “Mbajtje dhe shitje e armëve luftarake dhe municioneve”. Sipas Prokurorisë, pasuritë e tij dyshohet se janë krijuar nga veprimtaria kriminale dhe nuk justifikohen me burime të ligjshme.

NJOFTIMI I PLOTE: 

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, u sekuestruan pasuritë e shtetasit I.D.,i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, Gjermani, për veprat penale ‘Trafik i lëndëve narkotike’ dhe ‘Mbajtje dhe shitje e armëve luftarake dhe municioneve’ parashikuar nga Kodi Penal Gjerman.

Në kuadër të hetimit pasuror nr.01, të datës 17.01.2024, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë ka vërtetuar se shtetasi i mësipërm është nën hetim nga autoritetet gjermane për veprën penale “Trafik i lëndëve narkotike”, vepër penale e cila është objekt i ligjit nr.10192.

Nga hetimi pasuror për shtetasin I.D. dhe familjarët e tij për periudhën 2011-2024, rezultoi se vlera e të ardhurave të këtij shtetasi, është më e vogël se vlera totale e investimeve dhe shpenzimeve vetjake të kryera prej tij.

Duke marrë në konsideratë rezultatet e hetimeve pasurore të kryera në lidhje me shtetasin I.D. dhe të afërmvetë tij, provohet se ai ka qenë i përfshirë në veprimtarinë kriminale ‘Trafik i lëndëve narkotike’ dhe nga kjo veprimtari ka krijuar pasuri të cilat nuk justifikohen me nivelin e të ardhurave dhe veprimtaria e ligjshme e këtij shtetasi.

Për këto arsye, në bazë ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”,Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkoi sekuestrimin e pasurive dhe gjykata pranoi sekuestrimin e pasurive të mëposhtme:

– Pasuria e paluajtshme nr.116/27, lloji arë me sip 850 m2 ndodhur në Zall Herr Tiranë;

– Pasuria apartament, me sip.113.8m2,e ndarë në sip.77.7m2 neto, 11.3m2 sipërfaqe e përbashkët dhe 24.8m2 verandë; dhe

– Pasuria njësi, me sipërfaqe bruto 98.8m2, si dhe 2 postet e parkimit me numra P53 dhe P54, të porositura sipas kontratës.