Në kërkim ndërkombëtar për trafikun e 1 ton droge, arrestohet 34-vjeçari në Elbasan (EMRI)
Policia e Elbasanit ka vënë në pranga me qëllim ekstradimin në Kosovë, një 34-vjeçar i cili akuzohet nga autoritetet kosovare, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Më 4 tetor të këtij viti policia e Kosovës ka shpallur në kërkim 3 shtetas shqiptarë mes të cilëve edhe Erion Etemaj, të cilët akuzohen për rastin e laboratorit të drogës në Pejë. Në këtë laborator pas aksionit të policisë së Kosovës u sekuestruan 1 ton drogë, kanabis.
Njoftimi i policisë:
I akuzuar nga autoritetet kosovare, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, kapet në Elbasan dhe vihet në pranga me qëllim ekstradimin në Kosovë, 34-vjeçari.
Si rezultat i informacioneve të siguruara nga strukturat e Komisariatit të Policisë Elbasan dhe i shkëmbimit të këtyre informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe agjencive ligjzbatuese në Kosovë, u bë e mundur kapja në fshatin Papër dhe arrestimi me qëllim ekstradimin drejt Kosovës, i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar: E. E., 34 vjeç, banues në Elbasan.
Gjykata Themelore e Pejës, me vendimin e datës 30.10.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve të hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, parashikuar nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës. Interpol Tirana po bashkëpunon me autoritetet kosovare, për ekstradimin e 34-vjeçarit.