Në garë me të dënuar? Cili do të jetë fati i tre bashkive?

Nga Aida Topalli

Teksa na ndajnë vetëm pak ditë nga zyrtarizimi i fushatës zgjedhore për zgjedhjet vendore në vend, kahet politike kanë nxjerrë në pah edhe një sërë problematikash, sa ju takon kandidaturave. Përplasje të ashpra dhe mosmarrëveshje, si brenda dhe jashtë llojit.

Pak ditë më parë, Partia Socialiste, i kërkoi Partisë Demokratike që të hiqte nga lista kandidatin për kryetar bashkie në Shijak, Rezeart Tusha. Një gjë të tillë, kjo e fundit ja kërkoi edhe Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.
Shkak u bë një dokument, në të cilin thuhej e zeza mbi të bardhë, se Tushe është dënuar nga Zvicrra, duke i ndaluar këtij të fundit që të shkelë në këtë shtet, plot 5 vite me radhë.
Si kundërpërgjigje nga koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’, Partia Socialiste mori sulmin për 2 kandidatët e saj. Bëhet fjalë për kryetarin aktual të bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari dhe kreun e bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailaj.

Sipas koalicionit Berisha-Meta, të dy kryetarët dhe kandidatët, kanë fshehur problemet me drejtësinë që kanë pasur në shtetin grek.
Çështja më e nxehtë është për kandidatin e Shijakut, për të cilin Prokuroria po bën ende verifikime. Mirëpo në një kërkesë që shteti ynë i bëri atij zviceran, përgjigja ishte e prerë. Nuk japin informacion për çështje politike, por vetëm nëse Tushe do të ishte në ndonjë process penal në organet shqiptare.
Në një situatë të tillë, këto tre bashki duket se do të kenë një tjetër qasje në këto zgjedhje. Shijaku do të jetë sërish me vetëm një kandidat. Ndërsa edhe në dy bashkitë e tjera do të jetë e njëjta situatë.

Duhet pritur vendimi i KQZ nëse do të ketë përjashtime për këto 3 kandidatura. Në rast të një vendimi të tillë, kemi dy bashki që kandidojnë me vetëm një kandidat, duke sjellë fitore si në 2019-ën. Dhe një bashki tjetër, gara në të cilën do të zhvillohet vetëm mes opozitës së përçarë.
Kujtojmë se jo rrallëherë, të dyja kahet politike kanë patur në radhët e tyre të kandidimit emra të skeduar për vepra të ndryshme penale.