Në Ditën e Amerikës, jehonë nga Kruja në Tiranë: Mos e lini qytetin e Skënderbeut në harresë!
4 Korriku, festa kombëtare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mblodhi në sheshin “Skënderbej” qindra qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare. Me flamuj kombëtar dhe amerikan, festa në zemër të kryeqytetit u kthye në një moment bashkimi dhe reflektimi.
Mes të pranishmëve ishin edhe qytetarë nga Kruja, të cilët shfaqën indinjatën e tyre të thellë ndaj qeverisjes 35-vjeçare nga dy partitë e vjetra. Kadri Voga, nismëtari i Partisë Shpresa Demokrate në Krujë, i shoqëruar nga një numër simpatizantësh të këtij subjekti, zgjodhi pikërisht ditën e festës së SHBA-së për të ngritur zërin për qytetin e tyre.
Në shenjë proteste, ata denoncuan mungesën e vëmendjes institucionale ndaj Krujës, e cila, sipas tyre, po përjeton vështirësi të mëdha, megjithëse është një ndër qytetet me më shumë histori, traditë dhe potencial turistik në vend.
Një përfaqësues i komunitetit krutan nga diaspora kishte fluturuar posaçërisht nga Anglia për të mbështetur këtë nismë. Ai deklaroi se qeveritë e deritanishme nuk kanë investuar për zhvillimin e Krujës dhe kërkoi më shumë përfaqësim e kujdes nga institucionet.