“Në çdo moment jeni të vëzhguar” – FSHF paralajmëron tifozët para ndeshjes Shqipëri-Serbi: Ja cilat janë veprat penale në stadium

Në prag të ndeshjes së shumëpritur mes Shqipërisë dhe Serbisë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka publikuar një paralajmërim zyrtar për të gjithë tifozët që do të jenë të pranishëm në “Air Albania Stadium” sonte.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, FSHF thekson rëndësinë e respektimit të rregullave të sigurisë, duke nënvizuar se gjatë gjithë kohës tifozët do të jenë nën vëzhgim.

🛑 Kushdo që hyn në stadium duhet të jetë i pajisur me një dokument identifikimi, pasi në të kundërt nuk do t’i lejohet hyrja.

🚧 Ndalohen kalimet e pengesave të sigurisë, ndërsa të gjithë tifozët do të kontrollohen nga stjuardët përpara hyrjes në tribunat përkatëse.

Veprimet që konsiderohen vepra penale përfshijnë:

-Mbajtjen e armëve të zjarrit ose të ftohta

-Shfaqjen e banderolave, flamujve apo parrullave që nxisin urrejtje

-Futjen në fushën e lojës

-Përdorimin e biletave false

Në deklaratën e saj, FSHF u bën thirrje tifozëve të ruajnë qetësinë dhe të respektojnë rregullat e stadiumit, për të shmangur çdo incident që mund të dëmtojë jo vetëm atmosferën festive, por edhe imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare të futbollit.

“Në çdo moment jeni të vëzhguar. Respektoni rregullat dhe ndihmoni ekipin kombëtar me mbështetje të pastër sportive”, thuhet në postim.