“Ne bëjmë kërkime shkencore, s’merremi me tendera”, zbardhen detaje nga seanca gjyqësore e zyrtarëve të UBT

Zyrtarët e Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT) janë paraqitur sot në një seancë gjyqësore ku janë zbardhur disa detaje lidhur me hetimet dhe akuzat ndaj tyre.

Prokurorët e SPAK, gjatë seancës për konfirmimin e masave të sigurisë, kanë deklaruar se do ta lënë vendimin në dorë të gjykatës, duke shtuar se për disa persona, të cilët kanë arsye të veçanta familjare dhe projekte me të huajt, do të presin vendimin e trupës gjyqësore.

Një nga të akuzuarit, Bejo Bizhga, shef departamenti në UBT, ka theksuar pafajësinë e tij, duke i mohuar akuzat lidhur me lidhjet me tenderat. Ai ka deklaruar se është i angazhuar në kërkime shkencore dhe jo në aktivitete të tenderëve, duke shtuar se: “Kam punuar për këtë vend prej një jete, kam përgatitur breza, kam nxjerrë veterinerë. Në këtë pikë që jam sot dua të them se ia kam gjetur diabetit shërimin, s’po i gjej dot shërimin stresit që më solli ky hetim.”

Në seancë ka folur gjithashtu edhe zv. rektori i UBT-së, Pashaj, i cili ka nënvizuar se pas nisjes së hetimit nga SPAK, disa zyrtarë janë larguar nga puna. Ai ka shtuar se, edhe nëse angazhimi në tendera është i ligjshëm, ata nuk do të pranojnë më të merren me të.

Ndërsa zv. rektori Romina Koto, e cila është e akuzuar për një projekt të dixhitalizimit të laboratorëve, ka deklaruar se ishte ajo që dha idenë për këtë iniciativë, dhe se për këtë arsye ka rënë nën hetim. Ajo theksoi se nuk kishte realizuar asnjë veprim, por vetëm kishte paraqitur një ide inovative për përmirësimin e kushteve në universitet.

Avokati i saj, pas përfaqësimit të zonjës Koto, ka deklaruar se hetimet janë kryer për më shumë se një vit dhe se ata kanë qenë të gatshëm të paraqiteshin sa herë janë thirrur për hetim. Ai gjithashtu ka theksuar lidhjen e ngushtë personale të zonjës Koto, duke thënë: “Kjo zonjë është fortlumturisht e martuar për shkak se është bashkëshortja ime.”