Në arrest shtëpie për çështjen ‘Partizani’, Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e Jamarbër Malltezit! Shkak, mosformimi i shumicës së nevojshme vendimmarrëse të gjyqtarëve
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Jamarbër Malltezit, i cili kundërshton masën e sigurisë ‘arrest në shtepi’ të vendosur nga Gjykata e Posaçme, lidhur me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se kërkesa është rrëzuar për shkak të mosformimit të shumicës së nevojshme vendimmarrëse prej 5 gjyqtarësh.
Kujtojmë se pas dorëheqjes së Elsa Toskës, ky institucion i drejtësisë mbetei me 8 anëtarë nga 9 që kishte në organikë.
VENDIMI
Në datën 05.12.2024, Gjykata Kushtetuese ( Gjykata) mori në shqyrtim çështjen me kërkues Jamarbër Malltezi, me objekt shfuqizimin e vendimeve nr. 112, datë 20.10.2023 dhe nr. 116, datë 23.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 56, datë 21.11.2023 të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2024-384, datë 05.03.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.