Ndryshimi i ligjit për Urdhrin e Mjekëve, ka sjellë debate në Komisionin e Shëndetësisë, ku ishte thirrur për të raportuar Fatmir Brahimaj. Ky i fundit, drejtues i urdhrit të Mjekit, tha se ndryshimet që pritet të bëhen në ligj, do të sjellin transformimin e punës së tyre, dhe cënojnë pavarësinë.
“Na është dhënë në dorë ligji me ndryshimet e reja, pa u pyetur apo konsultuar me ne. Pavarësia humbet plotësisht, ndryshimet ligjore bien ndesh me rolin, misionin dhe funksionin e UMSH-së. Këto ndryshime dhe shtesa prishin përputhshmërinë me homologët tanë ndërkombëtar”, tha Brahimaj.
Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu tha se dita që është vendosur ndryshimi i Urdhrit të Mjekut është një ditë e errët për demokracinë shqiptare.
“Po kërkohet të goditet një ndër institucionet e vetme që ka ngelur në nivelin e institucionit të pavarur. Financohet nga vetë mjekët dhe shteti nuk ka të drejtë të hyjë”, tha Shehu, duke shtuar se asnjëherë, në 30 vite ekzistencë, nuk është menduar që të ndërhyhet në këtë ligj dhe ky akt-normativ do të shkatërrojë sistemin publik.
“Do ju ikin mjekët nga spitalet publike ose do shtohet korrupsioni pasi do merren më tepër para nën dorë. Asnjë vend Evropë nuk ka masa të tilla. Do bie cilësia e shërbimit”, tha Shehu.
Pjesë e kundërshtimeve të Brahimajt u bë edhe deputeti i partisë Socialiste Niko Kuri i cili tha se e mbështet në hapat që mund të marrë, si të çojë ligjin në Kushtetuese.
“Jam i zhgënjyer që jemi në këtë situatë. Preket pavarësia e mjekut. Ju mbështes në hapat që do merrni kundër këtij ndryshimi”, tha Kuri, duke shtuar se është e nevojshme që të ndryshohet ligji por duke u dakordësuar me drejtuesit e Urdhrit të Mjekut dhe duke bërë konsultime me palët e përfshira.
Kurse nënkryetarja e komisionit, Klodiana Spahiu theksoi se nuk ka ndryshime thelbësore në këtë Akt Normativ që prekin urdhrin e mjekut.
“Ndryshon vetëm struktura dhe kriteret e komisionit disiplinor, madje dhe këtë vetë Urdhri do e hartojë. Nuk ka ndryshim të buxhetit apo pikave të tjera. Bëhet fjalë vetëm për një Komision masash”, tha ajo.
Ndërkohë zv/ministrja e shëndetësisë Mira Rakacolli tha se është një keqkuptim midis dy institucioneve.
“Kemi komunikuar me përfaqësuesit e Urdhrit të Mjekut. Ministria e respekton pavarësinë e tyre dhe nuk do ta kontrollojë. Ne kërkojmë bashkëpunim me to”, tha Rakacolli e cila u pyet nëse ka komunikuar me drejtues të UMSH. Rakacolli tha se pjesë e konsultimeve kanë qenë mjekë që janë anëtarë të Urdhrit të Mjekut, deklaratë që u shoqërua me kundërshtime nga deputetët demokratë të cilët thanë se mund të kenë qenë mjekë socialistë.