Ndroq/ Policia heton të shkuarën, viktima Alfred Dedja punonte si menaxher i hotelit ku u zhduk Jan Prenga

Të tjera detaje janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur këtë pasdite në fshatin Ndroq të Tiranës, ku pas të shtënave me armë zjarri mbeti i vdekur Alfred Dedja, rreth 50-vjeç.

Alfred Dedja jetonte në Itali, ndërsa autori i dyshuar, 26-vjeçari Julian Gjoshi është larguar nga vendngjarja me një “Mercedes Benz” ngjyrë të zi. Ai është kunati i Altin Hajrit, një emër i njohur i botës së krimit në vend.

Pikërisht kjo e bën hetimin më të ndërlikuar. Viktima, Alfred Dedja më herët kishte punuar si menaxher në kompleksin “Golden” në Shijak. Një hotel luksoz që më herët ka qenë në shënjestër të “OFL”-së, ku dyshohet se u ekzekutua pas rrëmbimit Jan Prenga.

Sipas dëshmive paraprake, Alfred Dedja ka shkuar ta takonte e ta përqafonte pasi e ka parë në lokal Gjoshin, por ky i fundit ka nxjerrë pistoletën dhe e ka ekzekutuar.
 
Një pistoletë raportohet se është gjetur edhe në trupin e viktimës. Ndërsa policia nuk ka rënë ende në gjurmët e autorit.