Ndotje mjedisore në Dhërmi, procedohet penalisht administratorja e një hoteli
Një tjetër rast ndotjeje mjedisore është konstatuar në zonat turistike të bregdetit shqiptar. Administratorja e një subjekti hotelier në fshatin Dhërmi është proceduar penalisht, pasi u zbulua se hoteli që drejtonte shkarkonte ujëra të ndotura në ambientin përreth, duke shkaktuar ndotje të konsiderueshme mjedisore.
Kontrolli u krye më 18 korrik 2025, nga strukturat e Stacionit të Policisë Dhërmi, në bashkëpunim me Task-Forcën e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, në kuadër të planit të masave për mbrojtjen e mjedisit në zonat turistike.
Gjatë verifikimit u konstatua se impianti i trajtimit të ujërave të ndotura ishte jashtë funksionit, dhe si rezultat, një pjesë e ujërave të ndotura derdhej në një përrua pranë objektit, duke ndotur mjedisin përreth dhe rrezikuar ekosistemin lokal.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Policinë e Dhërmiut nisën procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetases E. M., 46 vjeçe, banuese në Vlorë, me akuzën “Ndotja e ajrit, ujërave dhe tokës”, sipas nenit 201 të Kodit Penal.
Po ashtu, Task-Forca e AKUK-së ka vendosur një masë administrative ndaj subjektit për shkeljet e konstatuara.
Materialet procedurale janë referuar pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Vlorës thekson se do të vijojë inspektimet dhe masat për të garantuar mbrojtjen e mjedisit dhe zbatimin e ligjit, në të gjitha zonat e qarkut, veçanërisht në kulmin e sezonit turistik.