Ndotet vija bregdetare në Vlorë nga “Rrapi” tek vilat, dyshohet për detergjentë ose vajra kuzhine!

Prej mëngjesit të së shtunës, një pjesë e vijës bregdetare të Vlorës, konkretisht segmenti nga zona e njohur si “Rrapi” deri tek vilat buzë detit, është ndotur ndjeshëm, duke shkaktuar shqetësim tek pushuesit dhe banorët e zonës.

Në sipërfaqen e ujit vërehet një shtresë e bardhë dhe vajore, e cila sipas banorëve dhe pushuesve, ngjan me detergjentë ose mbetje vajrash të përdorur nga kuzhinat e subjekteve private në zonë.

Pamja e ujit është e turbullt dhe me njolla vajore.
Banorët shprehen se ky nuk është një fenomen i ri, por këtë herë situata është bërë më e dukshme dhe më shqetësuese.

Sipas tyre, përgjegjës për këtë ndotje mund të jenë disa prej subjekteve private, si restorante apo njësi akomoduese apo edhe mjetet lundruese që operojnë përgjatë vijës bregdetare, të cilat dyshohet se hedhin në mënyrë të pakontrolluar mbetje vajore dhe detergjentë.

Ende nuk reagim zyrtar nga autoritetet vendore apo Inspektorati i Mjedisit.

Vija bregdetare e Vlorës është një nga asetet më të rëndësishme turistike të vendit, dhe çdo rast i tillë ndotjeje jo vetëm dëmton imazhin e qytetit, por rrezikon edhe ekonominë lokale që mbështetet tek turizmi. Institucionet përgjegjëse pritet të reagojnë për të garantuar pastërtinë dhe sigurinë e plazheve, në një sezon turistik që është në kulmin e tij.