“Ndoshta fitoj sepse nuk jam një socialist i mirë” – Rama batuta pas fitores së mandatit të katërt: Më ka zënë belaja me kolegët!

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për organizatorin e Forumit të Iniciativës së Investimeve të Ardhshme (FII), Richard Attias, në kuadër të mbajtjes për herë të parë të këtij forumi në Tiranë.

Në këtë bisedë, Rama ka komentuar me humor rizgjedhjen e tij për të katërtën herë radhazi si kryeministër i Shqipërisë, ndërsa është ndalur edhe te prioritetet e qeverisë në mandatin e ri dhe rruga drejt Bashkimit Europian.

Richard Attias: Zoti Kryeministër, sapo jeni rizgjedhur për mandatin e katërt, diçka historike për Shqipërinë. Cilat janë tri përparësitë tuaja për këtë mandat?

Edi Rama: Para së gjithash, më duhet të ndaj me ju që jam zënë paksa në bela me kolegët socialistë. Kur dikush më pyeti, “Si është e mundur që je socialist dhe ke fituar katër mandate?”, i thashë: “Dëgjo, nuk di ç’të të them. Ndoshta fitoj sepse nuk jam një socialist i mirë!”

Tani që flasim, tri gjërat më të rëndësishme për ne janë: BE-ja, BE-ja dhe BE-ja. Dritarja e mundësisë është hapur. Është shumë e trishtë që na duhej Putini, që kjo dritare të hapej. Ishte agresioni i tij kundër Ukrainës që i zgjoi të gjithë nga gjumi dhe e shndërroi në veprim mesazhin përherë të përsëritur me fjalë, por jo me vepra, se një ditë Europa do të jetë e bashkuar.

Richard Attias: Mendoni se ka ndonjë faktor tjetër që mund ta përshpejtojë këtë proces?

Edi Rama: Unë shpresoj që edhe zgjedhja e Donald Trump-it si President i SHBA-ve do ta shtyjë Europën të kthejë në veprime gjërat e duhura. Europa ka nevojë të reagojë me seriozitet përballë sfidave globale. Nëse ia dalim të bëhemi pjesë e saj me dinjitet dhe standarde, atëherë katër mandatet do t’ia kenë vlejtur.

Richard Attias: Keni ndonjë mesazh për skeptikët që e shohin fitoren tuaj si të papritur për një lider socialist?

Edi Rama: Nuk e shoh si të papritur. Shqipëria ka ndryshuar shumë dhe ne kemi punuar shumë. Por siç thashë, ndoshta suksesi qëndron edhe në faktin që nuk jam një socialist “i zakonshëm”. Jam përpjekur të jem efektiv, të sjell zhvillim dhe të ndërtoj ura komunikimi përtej bindjeve politike. Në fund të ditës, më rëndon përgjegjësia më shumë se etiketat.