Presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, gjatë së cilës diskutuan për situatën në Ukrainë, Lindjen e Mesme dhe Inteligjencën Artificiale (AI).
Pas telefonatës, Trump e përshkroi bisedën si të gjatë dhe produktive, duke deklaruar se negociatat për Ukrainën do të fillojnë së shpejti. Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, ai theksoi se të dy liderët janë të vendosur të ndalojnë viktimat nga lufta mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Të dy duam të ndalojmë miliona vdekje që po ndodhin në luftën me Rusinë/Ukrainë. Ramë dakord të punojmë së bashku, përfshirë vizitat reciproke në vendet tona. Ekipet tona do të fillojnë menjëherë negociatat dhe do të kontaktojmë presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për ta informuar për këtë bisedë”, ka shkruar Trump.
Trump ka udhëzuar Sekretarin e Shtetit Marco Rubio të udhëheqë negociatat. Ai falënderoi presidentin Putin për përpjekjet e tij dhe për lirimin e Marc Fogel, të cilin Trump e takoi personalisht në Shtëpinë e Bardhë një natë më parë.
“Besoj se kjo përpjekje do të çojë në një përfundim të suksesshëm, shpresojmë së shpejti”, përfundoi Trump.