- Qendra e votimit me kusht në komunën e Zubin Potokut ka mbetur pa fletëvotime gjatë pasdites, duke lënë dhjetëra qytetarë të presin pa mundur të votojnë.
“Kam ardhur që në orën 11:30, por nuk munda të votoj sepse na thanë se nuk ka më fletëvotime. Kam ardhur nga Komuna e Leposaviçit, sepse atje na thanë të votojmë këtu, por nuk po votojmë dot,” tha një qytetar i zhgënjyer.
Millutin Gjukiç, kryesues i Qendrës së votimit me kusht, tha se situata është përsëritur disa herë gjatë ditës.
“Gjatë ditës kemi mbetur pa fletëvotime, por brenda gjysmë ore e kemi zgjidhur problemin. Megjithatë, tani jemi sërish pa fletëvotime dhe njerëzit po presin jashtë. Kemi kontaktuar me Prishtinën, por na kanë thënë që duhet të presim,” deklaroi Gjukiç.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka dhënë një sqarim për këtë çështje. Situata ka shkaktuar pakënaqësi te votuesit, të cilët vijojnë të presin në radhë.