Ndjekje si në filma! Identifikohen dhe shpallen në kërkim dy protagonistët e aksidentit të katërfishtë

Eduart Koboçi, 28 vjeç dhe Zenel Trofin, 35 vjeç, janë shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit, pasi dyshohet se janë përfshirë në një incident të rëndë, duke ndjekur me automjetet e tyre njeri-tjetrin në zonën afër “Pallatit me shigjeta”.

Sipas hetimeve paraprake, dy shtetasit, gjatë ndjekjes, kanë përplasur dy automjete të tjera që ndodheshin të ndaluara në semafor, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Pas aksidentit, ata kanë braktisur automjetet dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Përveç dëmeve materiale, gjatë kontrollit të automjetit që dyshohet se e drejtonte Eduart Koboçi, Policia ka gjetur një predhë të dyshuar se është qitur nga arme zjarri pistoletë, çka shton dyshimet për përdorim të armëve gjatë ngjarjes.

 

Policia po punon për kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes.