Ndiqni paranë/ Shikoni pasuritë e ish-rektorit të Elbasanit, Skënder Topi dhe gjykoni mbi cilësinë e arsimit në Shqipëri


Deklaron 14 llogari bankare me vlerë 370 milion lekë, 4 ullishte, 4 toka, 6 apartamente e dy vila, i ka vënë me kursimet nga puna në emigracion; ndërsa në CV-në e tij deklaron se më 10 tetor 1996 është diplomuar për Mjekësi e Kirurgji në Universitetin e Barit-Itali, ndërkohë që gjatë periudhës 1993-1996 ka qenë në Elbasan…

Prej vitit 2016 kur mori mandatin e parë si Rektor i Universitetit të Elbasanit, Skënder Topi, nuk ka deklaruar pasuritë e tij, ngaqë ka pasur e ka lidhje familjare me drejtuesit e ILDKPI; madje nuk i është kërkuar deklarim as në muajin mars 2024, para largimit nga detyra.

Se sa pasuri të tjera, mund të  ketë vënë Skënder Topi gjatë 8 viteve rektor universiteti, këtë duhet ta hetojë SPAK, por mjafton të hetohen pasuritë e llogaritë bankare, që ka deklaruar më 2016, të cilat janë të shumta në lloje, numër e vlera financiare; për të cilat, thotë se i ka siguruar nga kursimet e 3 viteve emigrant në Itali dhe paga në Shqipëri.

Ja disa nga pasuritë e tij në Elbasan, deri para 8 vitesh:

– Apartament 106 m2, blerë me të ardhura nga paga dhe emigracioni, vlera 2.8 milionë lekë.

– Apartament 76 m2, blerë me të ardhura nga paga dhe emigracioni, vlera 2 milionë lekë.

– Apartament 105 m2, blerë me të ardhura nga paga dhe emigracioni, vlera 1 milion lekë.

Apartament 62 m2, blerë me të ardhura nga emigracioni dhe paga, vlera 1.8 milionë lekë.

– Apartament 152 m2, blerë nga puna në emigracion, vlera 74 mijë e 480 euro.

– Banesë 2-kate 140 m2+150 m2 truall, ndërtuar me të ardhura nga emigracioni 4 milionë lekë.

– Ullishte 1450 m2, blerë me të ardhura nga emigracioni në vlerë 2.9 milionë lekë; dhe bashkëpronar me 25% në 13 mijë 270 m2 tokë, dhuruar nga nëna; ndërsa bashkëshortja është pronare e 11 mijë e 193 m2.

– Bashkëshortja, klinikë dentare, blerë nga puna në emigracion me vlerë 8 mijë Euro.

Ka 14 llogari bankare gjendje, të ardhura nga emigracioni, paga, aktiviteti akademiko-kërkimor në vlerë 370 milionë lekë të vjetra.

Këto pasuri, Skënder Topi i ka deklaruar në muajin mars 2016, kur filloi detyrën si rektor; ndërsa për të ardhurat dhe pasuritë gjatë 8 vite në këtë detyrë, ai nuk ka deklaruar asnjë pasuri e të ardhura, të cilat, për shkak të fshehjes janë objekt hetimi nga SPAK.

Po kështu, drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, duhet të urdhërojë ri-hetimin e një kallëzimi penal të bërë nga mjeku Shefqet Deliallisi më 17 qershor 2021 në Prokurorinë e Elbasanit; me akuzë dhe prova, se rektori Skënder Topi është me diplomë mjeku dhe doktoraturë false.

Në kallëzim thuhet: – Skënder Topi nuk ka përfunduar Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, mbasi e ka braktisur në vitin e dytë, por ai deklaron se në vitin 1993 në moshën 27 vjeç ka vazhduar studimet në Itali, ku thotë se ka marrë diplomë e titullin “Doktor në Kirurgji Onkologjike”.

Në CV-ën e tij te faqja zyrtare e universitetit, ish-rektori Skënder Topi, deklaron se më 10 tetor 1996 është diplomuar për Mjekësi e Kirurgji, në Universitetin e Barit-Itali, ndërkohë që gjatë periudhës 1994-1996 ka qenë në Elbasan.

Në kallëzimin e mjekut Shefqet Deliallisi, thuhet se këto janë false, mbasi ish-rektori Skënder Topi, nuk ka as diplomë mjeku; por kallëzimin e kanë pushuar dy miqtë e tij drejtues të Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi e Alfred Shehu, ky i fundit, prej 2 vitesh e gjysmë  prokuror në SPAK./Pamfleti