Ndihmoi Esmerald Ballën pë të transportuar trupin e pajetë të të atit duke e hedhur në pus, arrestohet nga policia 25 vjeçari Edison Brahaj

Detaje të reja kanë dalë nga vrasja makabër në Shënvlash ku djali vrau babanë. Kasaforta e prerë me gur ftesibël në pjesën e pasme të saj dhe që ndodhej në dhomën e Esmerald Ballës, ishin indiciet e para të hetuesve se pas zhdukjes së Enver Ballës fshihej diçka tjetër.

Që prej momenteve të para që Esmerald Balla bëri denoncim në polici, hetuesit i morën me rezerva deklarimet e tij dhe e mbajtën në vëhzgim. Në deklarimet e para për kasafortën, hetuesit patën deklarime kontradiktore në lidhje me çelësin, që herë thoshte e mbante babai e herë ai vetë. Pasi kishte sajuar historinë se i ati kishte ikur me nje grua, e cila i kishte shkuar në Instagram, policia vendosi t’i sekuestroj celularin, tek i cili u ndërhy me ekspertë të IT pasi i kishte fshirë, dhe u zbuluan prova që zbërthyen ngjarjen.

Përveç fotove të vajzave të gjetura në celular u gjet edhe një screenshot bisede, një grua që i shkruante se kishte ikur me babain e tij. Por nga hetimi u zbulua se i njëjti profil që i kishte shkruar ishte i tij, i hapur në celularin e tij, duke zbuluar mashtrimin. I riu u mbajt për disa kohë në përgjim por ka qenë i kujdesshëm në komunikim. Hetuesit kanë dyshime të forta se ai nuk veproi vetëm dhe të ketë pasur edhe bashkëpunëtorë jashtë familjes. Këta të fundit nuk dinin asgjë mbi fatin e babait, që u vra nga djali Esmeraldi dhe besuan historinë e sajuar të largimit me një grua.

Ndërkaq një 25 vjeçar është vënë pranga nga Policia e Durrësit. Policia ka arrestuar një 25 vjeçar, pasi ndihmoi Esmerald Ballën të transportuar trupin e pajetë të të atit duke e hedhur në pus

Durrës

Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 62-vjeçarit. Vihet në pranga shtetasi që ndihmoi autorin e vrasjes së babait të tij, në fshatin Shënavlash, për të transportuar trupin e pajetë duke e hedhur në një pus.

Në vijim të veprimeve hetimore të pandërprera, lidhur me ngjarjen e ndodhur në fshatin Shënavlash, ku djali vrau me armë zjarri babain e tij dhe e deklaroi të larguar nga banesa, duke pretenduar se kishte humbur kontaktet me të, veprimet janë intensifikuar dhe si rezultat është bërë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i bashkëpuntorit të tij, shtetasit Edison Brahaj 25 vjeç, banues në Sektor Rinia, Durrës.

Ky shtetas, i cili kishte lidhje shoqërore me autorin Edison Brahaj, dyshohet se ka bashkëpunuar me të në transportimin me automjet të trupit të viktimës nga vendi i ngjarjes deri te vendi ku u gjet nga policia.

Gjatë kontrollit në banesën e Edison Brahaj u gjet dhe u sekuestrua një shumë prej 145 000 lekësh.

Për sa më sipër, ky shtetas u arrestua për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”.

Vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.