Ndezi zjarr dhe u dogjën qindra pemë ulliri, arrestohet 41-vjeçari në Rrogozhinë
Ndezi zjarr dhe për pasojë u dogjën qindra pemë ulliri, pemë frutore dhe 10 ha bimësi, si dhe u rrezikuan banesat përreth, Policia identifikoi, kapi dhe arrestoi autorin e dyshuar.
Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit se në lagjen e Shimve, bashkia Rrogozhinë, kishte rënë zjarr dhe ishte përhapur në një sipërfaqe të madhe, menjëherë kanë shkuar në zonën ku kishte rënë zjarri dhe vijuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Ndërkohë, shërbimet zjarrfikëse, me ndihmën e shërbimeve të Policisë, pas disa orësh, bënë të mundur fikjen e zjarrit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, pas disa minutash, është bërë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i mjedisit pyjor”, i autorit të dyshuar, shtetasit I. R., 41 vjeç, banues në Rrogozhinë.
Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas ka qenë duke punuar në oborrin e një banese dhe ka ndezur zjarr aty, për djegien e mbeturinave. Si pasojë e erës së fortë, zjarri është përhapur shpejt duke djegur një sipërfaqe toke me bimësi rreth 10 ha, qindra pemë ulliri dhe pemë frutore, si dhe ka vënë në rrezik serioz përfshirjen nga flakët, të banesave përreth.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të mos shkaktojnë zjarr në asnjë rast, pasi do të përballen me ligjin.