Ndërtimi pa kriter në Theth, Prokuroria e Shkodrës në hetim 33 raste
Situata me ndërtimet në Theth nuk ka kaluar vetëm me shembjet. Rezulton se në prokurorinë e shkodrës dosje po hetohen si para por dhe pas zbarkimit të forcave të IMT-së në zonën e konsideruar ikonë për turizmin dhe traditat e Shqipërisë.
Nga muaji shkurt i këtij viti deri më tani prokuroria e Shkodrës ka nisur hetimet për 33 raste.
Pas verifikimeve të bëra në regjistrin e kallëzimeve dhe procedimeve na rezulton të jenë regjistruar 33 procedime penale në lidhje me ndërtimet pa leje në zonën e Thethit, vepër kjo e parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal. Aktualisht këto procedime rezultojnë në hetim.
Sipas prokurorisë këto procedime janë regjistruar në bazë të referimeve të bëra nga ana e IMT–Bashkia Shkodër dhe nga Komisariati i Policisë Shkodër që nga muaji Shkurt i vitit 2025.
Por edhe pas shembjeve në prokurorinë e qytetit janë hapur dosje të tjera, ku nga njëra anë denoncimet janë bërë prej banorëve e në tjetrën nga IMT.
Sa i përket 2 procedimeve dhe 1 kallëzimi të regjistruar së fundmi, janë të regjistruara për nenin 248 të Kodit Penal, pra për shpërdorim detyre dhe jo për ndërtime pa leje.
Ndërkaq operacioni nisi me një përplasje për pushimin e hetimeve në ndërtimet para kishës së Thethit. Kryeminsitri Edi Rama e cilësoi të papranueshëm mos fillimin e hetimeve nga përfaqësuesja e akuzës Elsa Gjeli, ndërsa ministri i drejtësisë kërkoi masa në KLP dhe ILD ndaj saj. Edhe vetë prokurorja Gjeli kërkoi ndërhyrjen nga KLP.