“Ndërtimi 500 metra mbi kokën e Dredhës, si nuk e pa?” – Ultimatumi i Ramës: Të hënën të shkarkohen të gjithë kryetarët e njësive administrative në Shqipëri!
Kryeministri Edi Rama ka lëshuar një ultimatum të prerë gjatë takimit me kryebashkiakët për performancën e pushtetit vendor, duke kërkuar shkarkimin e të gjithë kryetarëve të njësive administrative në Republikën e Shqipërisë deri të hënën.
“Të gjithë kryetarët e njësive administrative të PS duhet të shkarkohen, që të gjithë. Shpresoj që të hënën të gjithë të jenë të shkarkuar,” deklaroi Rama, në një mbledhje që kishte në fokus vizionin “Shqipëria 2030” dhe rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Gjatë fjalës së tij, ai nuk kurseu kritikat ndaj një sërë kryebashkiakësh, duke përmendur me emër Gledian Llatjën (Elbasan), Ermal Dredhën (Vlorë), si dhe drejtuesit e Lushnjës e Shkodrës.
“Në Vlorë, ndërtimi 500 metra mbi kokën e Ermal Dredhës. Si nuk e pa? E kanë bërë detin Jon si lumi i Lanës nga kantierët,” u shpreh Rama i irrituar, duke kritikuar mungesën e kontrollit mbi territorin dhe lejimin e ndërtimeve pa leje.
Në Elbasan, ai solli si shembull gjendjen e varrezave të mbuluara nga bari dhe mungesën e përgjegjësisë administrative, ndërsa për bashkinë e Lushnjës u shpreh se ka mungesë totale të nismave dhe funksionimit efikas të strukturave.
I vetmi shembull pozitiv sipas kreut të qeverisë ishte bashkia e Cërrikut, e cila përpunon të gjitha mbetjet e fshatit dhe i kthen në produkt bujqësor.
“Nuk është se ka ndodhur në Japoni, pse nuk shkoni të mësoni në Cërrik? Vetëm dini të kërkoni fonde nga qeveria,” deklaroi Rama me ironi.