Ndërron jetë në moshën 95-vjeçare Kryepeshkopi Anastas Janullatos

Ka ndërruar jetë sot në moshën 95-vjeçare Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos. Kryepeshkopi mbylli sytë në orën 08:30 mëngjesin e sotëm pasi ndodhej prej javësh nën kujdesin e mjekëve në spital. Ai pësoi hemorragji gastrike dhe më 3 janar u transportua me urgjencë, me një avion të Forcave Ajrore, drejt Athinës ku dhe humbi jetën, pasi nuk arriti t’i mbijetojë orëve kritike pas tentativës për ta nxjerrë nga intubimi, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor.

Lajmi u njoftua nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, në një njoftim në profilin zyrtar në Facebook.

Fjeti më Zotin Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, ANASTASI.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, me dhimbje të thellë, njofton fjetjen më Zotin të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastasit. Kryepiskopi ndërroi jetë sot, 25 Janar 2025, në orën 08:30 të mëngjesit, në moshën 95-vjeçare, në Spitalin “Evangelismos” të Athinës, si pasojë e funksionimit të pamjaftueshëm të shumë organeve. Më parë, ishte kuruar për disa ditë në Spitalin “Hygeia” të Tiranës.

Ftojmë besimtarët orthodhoksë të Kishës së Shqipërisë të luten për prehjen e shpirtit të Kryebariut të ndjerë.

Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, ishte rindërtuesi dhe rigjallëruesi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën e ngriti tërësisht nga rrënojat pas rënies së regjimit ateist. Me vizionin hyjnor dhe punën e tij të palodhur, ai rindërtoi nga themelet jetën kishtare, ndërtoi qindra kisha, krijoi institucione arsimore dhe bamirëse, si dhe formoi një brez të ri klerikësh, duke ofruar një shërbesë të pandërprerë e sakrifikuese për më shumë se 33 vjet.

I përjetshëm qoftë Kujtimi i tij!”, thuhet në postim.