Familja Themollari në Elbasan ka hapur dyert e mortit, për të përcjellë në banesën e fundit, djalin e tyre, Enean, i cili pas 3 muajsh në reanimacionin e spitalit të Traumës, ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm. Ai mbeti i plagosur rëndë, nga tritoli që shpërtheu në derën e banesës së tij, i vendosur për fqinjët e tij, motrat Nikolli.
Tritoli shpërtheu në shtëpinë ku jetonin me qira Alda dhe Xhovana Nikolli, ngjarje për të cilën ato akuzuan Nuredin Dumanin. Megjithatë, ende sot nuk është zbardhur ngjarja dhe nuk janë identifikuar autorët, edhe pse çështja është marrë përsipër nga Prokuroria e Posaçme.
“Nga i keqi e pësoi i miri, çfarë të them un i shkreti”, shprehet një prej banorëve. Fqinjët e përshkruajnë 26-vjeçarin si “një djalë i mirë dhe që ndihmonte familjen e tij”.
Giovanna dhe motra e saj, Alda jetonin së bashku në banesën në Elbasan ku ndodhi shpërthimi mëngjesin e 14 korrikut. Pas ngjarjes ato hodhën akuza në drejtim të Nuredin Dumanit, por edhe Prokurorisë së Posaçme, pasi sipas tyre i penduari i drejtësisë ka trajtim preferencial në ambientet e burgut, dhe merr vendime dhe për të dënuarit e tjerë.
Nikolli akuzoi Dumanin se kishte dhunuar në 3 raste të dashurin e saj në qeli, Amarildo Xhanej, ndërsa u shfaqën dhe pamjet, ku vrasësi me pagesë, tashmë i penduar, komunikonte lirisht nga ambientet e burgut. Pas denoncimit të Nikollit, 2 punonjës të policisë së burgjeve u pezulluan nga detyra.
Hetimet për shpërthimin me tritol, janë marrë përsipër nga Prokuroria e Posaçme, por deri tani nuk ka asnjë person të arrestuar për ngjarjen, edhe pse fillimisht u pretendua se policia kishte identifikuar autorin e ngjarjes.