Ndërpritet seanca gjyqësore për masat ndaj Asmer Bilali dhe Safet e Behar Bajri (ARSYEJA)

Ndërpritet seanca për Safet Bajrin, Behar Bajrin dhe Asmer Bilalin.

Shkak është bërë mungesa e gjyqtares, e cila ishte në udhëtim jashtë vendit. Të tre personat, akuzohen për organizimin dhe vrasjen e Fatbardh Licit në vitin 2018. Seanca për Bajrin dhe dy të tjerët u ndërpre për arsye procedurale. Gjyqtarja Irena Gjoka do të verifikonte, si gjyqtare e gatshme, masën e dhënë në mungesë nga gjyqtarja Etleva Deda.

SPAK arrestoi Safet Bajrin me akuzën se në bashkëpunim me Asmer Bilalin dhe kushëririn e tij të parë Behar Bajrin, kanë organizuar dhe kanë kryer vrasjen me paramendim në formën e grupit të strukturuar kriminal. Motivi i vrasjes së Licit – thotë SPAK, lidhet me dyshimin e Behar Bajrit se Ibrahim Lici, ky i fundit i shpallur në kërkim, kishte vrarë një pjesëtar të grupit të tyre, ish-policin Boran Bërçana më 15 korrik të vitit të 2018, i cili u ekzekutua në makinë bashkë me partneren Silvi Ndoci, ndërsa fëmija 3-vjeçar shpëtoi. Për këtë ngjarje që autoritetet ende nuk e kanë zbardhur, një muaj më pas Bajrët morën hak duke vrarë xhaxhanë e Licit.

SPAK në një njoftim të ndarë për mediat ka zbardhur edhe akuzar që rëndojnë ndaj tyre, “Vrasje me paramendim” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal në dëm të viktimës Fatbardh Licin, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Me prova të forta në duar, siç njofton zyrtarisht, SPAK iu drejtua Gjykatës së Posaçme dhe më 17 shkurt mori firmën për arrestimin e Safet Bajrit, kushëririt të tij Behar Bajri dhe të besuarit të grupit të tyre, Astmer Bilali, të dy në qeli në kuadër të operacioneve të mëparshme të SPAK, pas transkripteve te Sky ECC. Në një operacion diskret, masat e sigurisë u zbatuan 4 ditë më vonë, më 21 shkurt.

Fillimisht në derën e Safet Bajrit, në shtëpinë e tij në Dobraç shkruan efektivët lokalë të cilët e kërkuan për ta marrë në pyetje, por në drejtorinë e Policisë së Shkodrës, e prisnin forcat RENEA të armatosura deri në dhëmbë, të cilat e transportuan menjëherë drejt Policisë së Tiranës me pranga në duar ku iu komunikua zyrtarisht akuza.

Bajri nuk ngurroi të përshëndesë mediat që e presin në dyert e Policisë, duke iu buzëqeshur.

Safet Bajri la qelitë e burgut në maj të vitit 2023 pasi iu njoh shlyerja e 8 viteve burg dhënë nga drejtësia belge. Vazhdimisht e ka prezantuar veten njeri familjar, që nuk ka lidhje me krimin, e me pasuri të deklaruara. Emri i tij lakohej sa herë në Shkodër ndodhnin ngjarje kriminale, përfshirë më e fundit, masakra me 4 të vrarë në Dobraç, 30 tetorin e vitit 2024, ku u vra djali i Licajve, Hamza Lici, vëllai i Ibrahimit, miku i tij Arlind Bushati dhe një çift të pafajshëm që u gjetën rastësisht mes plumbave të krimit.

Për Dobraçin SPAK është duke i vijuar hetimet, ndërsa pak ditë më parë vuri në pranga 2 anëtarë të tjerë të grupit Bajri, Samuel Troshani e Izmir Sakica. Të dy, dje një i tretë në kërkim po nga grupi Bajri, akuzohen se do vrisnin Aleksandër Prendin dhe disa familjarë të tij në fshatin Rranxë të Bushatit, ku shkuan me makina të blinduara, por u përballën në një përplasje me armë nga Prendi, edhe ky i fundit i shpallur në kërkim.

Daljen e fundit në media Safet Bajri e pati vetëm dy ditë me parë në Top Channel me Grida Dumën, ku pranoi se makinat e blinduara në ngjarjen e Rranxës, ishin të tijat.

Asmer Bilai, një i besuar i Bajrave, është arrestuar në 2023 në kuadër të dosjes “Metamorfoza”. Sipas dekriptimit të bisedave, Bilali ishte angazhuar për vrasjen e Ibrahim Licit, Dorian Dulit dhe Genc Tafilit, të cilët do ekzekutoheshin në varrimin e Indrit Rrajës me porosi të Behar Bajrit.

Behar Bajri akuzohet për 7 vepra penale ndër to akuzohet për organizimin e vrasjes së Gjin Ndoj, plagosjen e Tauland Pepaj dhe planifikimin e disa atentateve të tjera.

Si vra Fatbardh Lici?

Fatbardh Lici, është vëlla i Mustafa Licit dhe xhaxhai i Ibrahim dhe Hamza Licit.  53-vjeçari u ekzekutua me breshëri plumbash mëngjesin e 10 gushtit 2018, teksa ndodhej në një kafene i shoqëruar nga persona të tjerë në lagjen Kiras të Shkodrës. Lici u qëllua nga një person që zbriti nga një automjet tip “Benz”, pa targa. Fatbardh Lici ishte kunat i Lulëzim Kullës, ku ky i fundit i shpëtoi atentatit me tritol në 13 janar 2018 dhe dyshimet u ngritën se mes fiseve Bajri e Lici kishin nisur përplasjet.