Ndarja nga jeta e Papa Françeskut, Baba Mondi: E deshi shumë kombin tonë, bota humbi liderin e madh të kohës

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi, ka reaguar me dhimbje për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut, duke e cilësuar atë si një nga figurat më të mëdha të kohës moderne. Në mesazhin e tij ngushëllues, Baba Mondi theksoi se Papa ishte një flamurtar i paqes dhe dashurisë, që e deshi thellësisht kombin shqiptar.

“Bota humbi sot Liderin e madh botëror të kohës, flamurtarin e Paqes dhe dashurisë,” tha Baba Mondi në reagimin e tij. Ai shtoi se Papa Françesku kishte një dashuri të veçantë për popullin shqiptar, duke e cilësuar “kombin tonë si kombin martir të Zotit.”

Papa Françesku ndërroi jetë këtë të hënë, më 21 prill, në moshën 88-vjeçare, në rezidencën e tij në Casa Santa Marta, në Vatikan. Sipas njoftimit zyrtar, ai ndërroi jetë në orën 7:34 të mëngjesit. Vdekja e tij ndodhi vetëm pak javë pasi ishte liruar nga një spital në Romë, ku ishte trajtuar për një rrezik të pneumonisë në mushkëri.