“Ndaloj luftërat”, Donald Trump rikthehet President, Harris e përgëzon:Është koha për të përveshur mëngët! Fitorja reflektohet edhe në Ekonomi

Donald Trump është presidenti i ri i 47 në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kandidati Republikan triumfoi mbi rivalen demokrate, Kamala Harris, teksa mori mandate përtej kuotës 270 që përbën edhe shumicën.

Një rikthim i jashtëzakonshëm për një ish-president që refuzoi të pranonte humbjen katër vjet më parë, shkaktoi një kryengritje të dhunshme në Kapitol, u dënua për akuza të krimit dhe u mbijetoi dy atentateve.

Presidenti Trump falenderoi qytetarët, teksa premtoi se do zhduk luftërat.

Kjo është një fitore politike që vendi ynë s’e kishte parë kurrë. Dua të falënderoj popullin amerikan për nderin që më dha duke më zgjedhur presidentin e 47-të, pasi më bëtë të 45-tin.  Amerika na ka dhënë një mandat të paprecedentë dhe të fuqishëm.  Do të arrijmë epokën e artë të Amerikës. Do ta bëjmë të madhe sërish” tha Trump para një turme të madhe mbështetësish të mbledhur në Qendrën e Konventës së Qarkut Palm Beach. Zoti më shpëtoi jetën për një arsye për të shpëtuar vendin tonë dhe për të rikthyer madhëshinë amerikane e do ta përmbushim këtë mision.  Për 4 vjet nuk patëm asnjë luftë, përveç se mundëm ISIS-in, e mposhtëm ISIS-in në kohë rekord, por nuk patëm luftë. Më thanë, “Po ti do fillosh luftë”, edhe u thashë, “Jo, unë ndaloj luftëra, nuk i filloj’. Kjo është një fitore masive për demokracinë dhe lirinë” tha Trump.

Kamala Harris ka pranuar humbjen e zgjedhjeve presidenciale.

Kandidatja demokrate ka zhvilluar një telefonatë me presidentin Donald Trump. Mediat amerikane konfirmojnë një fakt të tillë. Sipas një ndihmësi të Harris, Kamala i telefonoi Trumpit “për ta uruar për fitoren e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024″. Kamala Harris diskutoi rëndësinë e një transferimi paqësor të pushtetit dhe të qenit president për të gjithë amerikanët”.

Kandidatja demokrate për presidencën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris ka thyer heshtjen pas humbjes përballë Donald Trump.
Zëvendëspresidentja aktuale u shpreh se rezultati nuk ishte ai që dëshironin. 

 “Zemra ime është plot sot, plot mirënjohje për besimin që më keni dhënë, plot dashuri për vendin tonë dhe plot vendosmëri. Rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk është ai që donim, nuk është ai për të cilin luftuam, jo ai për të cilin votuam. Por më dëgjoni kur them: Drita e premtimit të Amerikës do të digjet gjithmonë e ndritshme. Nuk është koha për të ngritur duart lart. Kjo është koha për të përveshur mëngët. Kjo është një kohë për t’u organizuar, për t’u mobilizuar dhe për të qëndruar të angazhuar për hir të lirisë dhe drejtësisë dhe të ardhmes që të gjithë e dimë se mund ta ndërtojmë së bashku”, tha ajo.

Fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës reflektohet edhe në tregun financiar.Dollari ka pësuar rritje kundrejt monedha të tjera botërore, teksa të njëjtin trend ka pasur edhe tregu i kriptomonedhave. Rritja e monedhës amerikane ka rreth 1.8%, më i larti që nga 30 korriku. Bitcoin u rrit me 9%, me një vlerë në treg prej 75 mijë e 389 dollarësh.

Check Also

Biden uron Trump për fitoren, fton presidentin e zgjedhur në Shtëpinë e Bardhë! Përgëzon Harris për fushatën

Presidenti Joe Biden foli sot me Presidentin e zgjedhur Donald Trump për ta uruar atë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *