Ndahet nga jeta ikona e kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa, një ditë më parë festoi ditëlindjen

Shuhet në moshën 92-vjeçare aktorja e njohur Margarita Xhepa, një nga figurat më të shquara të teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Lajmi i hidhur vjen vetëm një ditë pasi ajo kishte festuar ditëlindjen e saj më 2 prill 2025.

E lindur në Lushnjë në vitin 1933, Margarita Xhepa la një trashëgimi të pasur artistike me mbi 150 role në teatër dhe 32 filma artistikë. Ajo u shqua për interpretimet e saj në skenë, duke sjellë personazhe të paharrueshëm si Ofelia në “Hamleti”, vajza e dytë në “Mbreti Lir”, dadoja në “Romeo e Zhulieta” dhe mbretëresha Margaret në “Rikardi III”.

Në kinematografi, Xhepa la gjurmë të thella me role në filma si “Vitet e para” (1965), “Dimri i fundit” (1976), “Koncert në vitin 1936” (1978) dhe “Tokë e përgjakur” (1976). Kontributi i saj në art u vlerësua me çmime të shumta, përfshirë “Çmimin e Karrierës” në 2007 për interpretimin në monodramën “Kënga e mjellmës” të Çehovit.

Humbja e Margarita Xhepës është një goditje e madhe për artin dhe kulturën shqiptare. Ajo do të kujtohet gjithmonë për talentin, pasionin dhe kontributin e paçmuar në skenën dhe ekranin shqiptar.