NATO ngre alarmin: Rusia mund të vendosë armë bërthamore në hapësirë, Rutte paralajmëron shkelje të Traktatit të 1967
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka ngritur një shqetësim serioz lidhur me planet e mundshme të Rusisë për të vendosur armë bërthamore në hapësirë. Gjatë një deklarate të raportuar nga mediat e huaja, Rutte tha se NATO është në dijeni të këtyre zhvillimeve, duke i cilësuar si një rrezik real për sigurinë globale.
Ai nënvizoi se aftësitë aktuale hapësinore të Rusisë janë të vjetruara dhe nuk mund të krahasohen me kapacitetet teknologjike të Perëndimit. “Prandaj, zhvillimi i armëve bërthamore në hapësirë mund të lejojë Rusinë të përmirësojë aftësitë e saj, gjë që është një burim i madh shqetësimi,” u shpreh Rutte.
Bëhet fjalë për armë të ashtuquajtura anti-satelitore, të cilat nuk janë të drejtuara drejt Tokës, por shkatërrimi i tyre në hapësirë mund të shkaktojë kaos global, pasi shumë sisteme komunikimi, navigimi dhe inteligjence varen nga satelitët.
Rutte paralajmëroi se këto veprime të mundshme të Moskës përbëjnë një shkelje të mundshme të Traktatit të Hapësirës së Jashtme të vitit 1967, i cili detyron shtetet nënshkruese të përdorin hapësirën vetëm për qëllime paqësore.
Ai shtoi se konkurrenca në hapësirë është bërë më intensive se kurrë më parë, duke theksuar se mjedisi hapësinor është i mbushur, i rrezikshëm dhe i paparashikueshëm.
“Kjo nuk vlen vetëm për zonën komerciale, por ndikon edhe në mbrojtjen, dhe rrjedhimisht në sigurinë në përgjithësi,” përfundoi kreu i NATO-s.