Nafta kontrabandë nga Tunizia në Porto Romano, Gjykata e Durrësit lë në paraburgim Eduart Skorën
Gjykata e Durrësit ka vendosur të lërë në paraburgim Eduart Skorën, një nga organizatorët kryesorë të kontrabandës së 670,000 litrave naftë nga Tunizia. Skora, i arrestuar në kufirin e Morinës, është akuzuar për veprën penale “Kontrabanda e kapitenit, pilotit ose ekuipazhit” e kryer në bashkëpunim.
Arrestimi i tij ka ardhur pas operacionit të koduar “Ari i zi”, ku u sekuestruan 670,000 litra naftë të fshehura në balastrat e një anijeje në portin MBM të Porto Romanos në Durrës. Në këtë operacion janë arrestuar tre anëtarë të ekuipazhit dhe janë proceduar pesë të tjerë. Florian Biba, bashkëpunëtori i Skorës, është ende në kërkim.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrjetit kriminal vazhdojnë, ndërkohë që janë identifikuar edhe dy persona të tjerë të dyshuar si organizatorë të këtij aktiviteti kriminal.