“Na sulmoi një qen dhe u bllokuam”/ Aventura e rrezikshme e tetë turistët në det, shpëtohen pas 4 orësh në Gjirin e Gramës
Pas katër orë operacion shpëtimi në det, katër turistët gjermanë dhe francezë, të cilët kishin humbur kontaktet me grupin tjetër që prej mbrëmjes së djeshme në Gjirin e Gramës, u sollën në Triport, në stacionin e Policisë Kufitare Vlorë. Prej orës 07:55, Policia Kufitare dhe Roja Bregdetare morën sinjalin SOS për disa turistë që ishin shkëputur nga grupi për të eksploruar Gjirin e Gramës.
Me detin 7 ballë dhe erërat e forta, anija e Rojeve Bregdetare pati kontakt vizual me turistët në orën 09:54 për t’i imbarkuar dhe më pas për zhvendosjen e tyre në drejtim të ishullit të Sazanit, ku i prisnin mjetet e Policisë Kufitare, të cilët i sollën në Triport në orën 13:30. Një prej turistëve ishte kafshuar nga një qen dhe për këtë u kërkua prezenca e urgjencës, e cila dha ndihmën e parë mjekësore në Triport për të gjithë turistët.
“Jam nga Gjermania dhe gjithçka është në rregull. Ne kemi qenë duke ecur, eksploruar drejt plazhit të Gramës. Gjatë ecjes pata edhe incidentin, por fatmirësisht tani jam mirë.
Ne ishim duke bërë hiking prej mbrëmjes së djeshme. Kur po afroheshim pranë Gjirit të Gramës, u sulmuam nga një qen. Kërkuam për një vend të sigurt dhe më pas u strehuam në Gjirin e Gramës, pasi edhe qenë të tjerë po na afroheshin. Arritëm që, nëpërmjet dritave të vogla, të qëndrojmë në Gjirin e Gramës, ku takuam edhe dy persona të tjerë. Më pas arritëm të njoftojmë policinë, të cilët na erdhën në ndihmë menjëherë dhe për këtë i falënderojmë.”
“Kemi përshkuar një ecje prej gati tetë orësh deri sa kemi arritur në Gjirin e Gramës. Nuk kemi mundur të kthehemi më pas, kemi pritur aty dhe miqtë tanë që ndodheshin këtu kanë lajmëruar policinë. Tani jemi të sigurt, falë ndihmës së tyre dhe i falënderojmë shumë.”
“Faleminderit shumë, faleminderit për policinë dhe të gjithë ata që na ndihmuan. Unë jam nga Franca. Kemi pasur pak frikë, ishte e vështirë, por çdo gjë është OK. Na dhanë ushqim dhe ujë, dhe i falënderojmë të gjithë.”
Brenda 24 orëve të fundit, Policia Kufitare dhe Roja Bregdetare kanë finalizuar me sukses tre operacione shpëtimi: dy veliera që kishin shfaqur probleme në det dhe kërkuan ndihmën e autoriteteve, si dhe rasti i tretë, ku katër turistë kërkuan ndihmë mëngjesin e së hënës.