“Na pret një tjetër vit fantastik për Tiranën”, Veliaj e nis vitin e ri me vullnetarët e rinj, mbjellin 52 pemë te Parku i Liqenit

Të rinj vullnetarë i janë bashkuar këtë fillimvit Bashkisë së Tiranës në nismën e saj për shtimin e gjelbërimit. Bashkë me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, të rinjtë dhe të rejat mbollën 52 pemë të reja në Parkun e Liqenit Artificial, që përkon dhe me 52 javët e vitit.

Kryebashkiaku nënvizoi se e mira vjen gjithmonë me më shumë përpjekje.

“Fillojmë sot një vit të ri fantastik për Tiranën, duke qenë shumë të ndërgjegjshëm që viti që kaluam ishte në fakt viti ynë më i mirë. Por, unë besoj se e mira vjen gjithmonë me më shumë përpjekje, me më shumë idealizëm, me më shumë progres, dhe vjen gjithmonë përpara. Duke mbajtur kokën mbrapa nuk fitojmë asgjë, por duke parë çfarë potencialesh kemi, ne mund të kemi ditë edhe më të mira. Ne e kemi vetë në dorë ta prishim këtë qytet, siç e kemi vetë në dorë ta bëjmë e ta lulëzojmë këtë qytet. Sot jam shumë mirënjohës për vullnetarët tanë. Uroj ta marrin të gjithë seriozisht, të dalin të merren me vrap, me aktivitete sportive. E shikoj që një pjesë e madhe e qytetarëve kanë filluar tashmë me aktivitetet e tyre pas pushimeve, por mbi të gjitha për t’i dhënë Tiranës më shumë oksigjen. Kemi mbjellë sot 52 pemë për 52 javët që do të vijnë sepse duam që çdo javë të karakterizohet nga kjo ndjesi pozitive”, deklaroi Veliaj.