“Na ndodhi një tragjedi” – Ish-drejtoresha e burgut të grave rrëfen vrasjen brenda dhomës së takimeve speciale
Një dëshmi tronditëse është bërë publike nga ish-drejtoresha e burgut të grave, Xhoi Jakaj, lidhur me një ngjarje të rëndë që ndodhi vite më parë brenda këtij institucioni.
Gjatë një interviste ku diskutohej për trajtimin e të dënuarve dhe çështjen e të ashtuquajturave “eskorta VIP” në burgje, Jakaj zbuloi për herë të parë arsyen pse u ndërprenë takimet speciale për gratë e dënuara.
“Takime speciale ka pasur edhe te gratë. Por ndodhi një tragjedi. Në një takim të zgjatur, burri vrau gruan brenda dhomës sepse ishte një freskuese me kabull të gjatë. Zakonisht montohet kabulli pas përdorimit, por atë ditë nuk ishte bërë. Pas asaj ngjarjeje, ndaluam menjëherë çdo takim të tillë,” – u shpreh ajo.
Ngjarja tronditi strukturën e burgut dhe çoi në pezullimin e përhershëm të së drejtës për takime të zgjatura për gratë e dënuara. Jakaj tha se vendimi u mor menjëherë pas incidentit, si masë sigurie për të shmangur përsëritjen e rasteve të ngjashme.
Sipas saj, me transferimin e grave të dënuara në burgun e Pogradecit, ku aktualisht ndodhen shumica e të dënuarave femra dhe ku infrastruktura është më e avancuar, ekziston mundësia që kjo e drejtë të jetë rikthyer. Megjithatë, ajo theksoi se nuk ka një konfirmim zyrtar për këtë ndryshim.